“Sikur hotel me 5 yje, kur u transferova, rilinda”, brenda Burgut të Tetovës

Burgu i Tetovës ka kapacitet për 48 persona, por aktualisht dënimin këtu e vuajnë 80 persona, thuajse dyfishi i kapacitetit.
Ekipi i TV21 hyri për të parë se si është jeta në qelitë e burgut ku dënimin e vuajnë personat që janë të dënuar për vepra deri në 3 vjet, përsëritës të veprave penale deri në 6 muaj si dhe të paraburgosur.
“Jemi në hapësirat e burgut të Tetovës, me një fjalë në një qeli me trajtim të mbyllur dhe siç mund të shihet këtu ka shtretër të rinj, banjë të re dhe janë të pajisur me televizor. Gjatë ditës do të qëndrojmë në këto hapësira për të parë se si është të kalosh një ditë në këtë burg”, raporton Senat Zylbehari, gazetar i TV21.
Burgu është gjysmë i hapur. Çdo i burgosur para se të marrë dënim të plotfuqishëm, qëndron në hapësira adaptimi. Vizituam një qeli ku dënimi vuhet me trajtim të mbyllur.
Të burgosurit thonë se ditët kalojnë ngadalë. Është vend i padëshiruar për ta, por shprehen se të paktën tani kushtet janë më të mira.
“Momentalisht gjendja është përmirësuar në burgun e Tetovës, ka tre muaj që është përmirësuar gjendja, se më përpara ishte shumë e keqe”.
TV21: Mund të na thoni se si i kaloni 24 orë këtu?
“24 orët i kalojmë mirë. Na u mundësua edhe televizori këtu, na nxjerrim të shëtisim nga një orë e gjysmë – dy, kaq. Flemë. Një dhomë e kemi për të fjetur, një dhomë e kemi për televizorin, se më parë se kishim këtë”.
TV21: Kur zgjoheni? Kur e keni ushqimin?
“Zgjohemi në ora 8, ushqimin e kemi në orën 7 e gjysmë. Në orën 1 vjen dreka dhe në orën 5 e gjysmë e kemi darkën”, tregon ky i burgosur”.
“Unë kam qenë në Shutkë dhe kam ardhur këtu”.
TV21: A mund të na bësh një krahasim si është atje dhe si është këtu?
“Si nuk mundet! Lirisht mund të them se më duhet sikur një hotel me 5 yje kur je në Antalia. Atje ushqimi është shumë katastrofë, brenda dhomat janë shumë katastrofë. Kur kam ardhur këtu për mua ka qenë si me lind për së dyti, pasi që për herë të parë jam në burg”.
Drejtori i Burgut, Qefali Havziu, që na shoqëroi gjatë kësaj vizite, nuk deshi të flasë para kamerës, por gjatë bisedës na tregoi sfidat e menaxhimit dhe përmirësimit të kushteve, por edhe mbajtjes larg të lëndëve narkotike. Jo më larg se para 10 ditësh është tentuar që nga jashtë të hidhen lëndë të tilla, tregon ai, por gardianët e kanë pikasur dhe parandaluar. Havziu na tregoi se për momentin në këtë burg janë 3 të dënuar që marrin terapi metadonit, ndërsa pas çdo pranimi të ri apo pas çdo lirimi për fundjavë, të dënuarve u bëhet testi i drogës./21Media

Back to top button