Simeone e pranon, ka urdhër të prerë që të mos startojë ndeshjet me Griezmann

Diego Simeone e ka pranuar se nuk do të startojë ndeshjet me Antoine Griezmann sepse klubi do të detyrohet t’i paguajë Barcelonës 40 milionë euro nëse ai ka minutazhë të mjaftueshme këtë sezon.
Griezmann ka dy gola tashmë, por ende nuk ka filluar një lojë nga minuta e parë pasi është aktivizuar në lojë në minutën e 64’, minutën 62’ dhe minutën 75’ në tre ndeshjet e Atleticos këtë sezon.
I pyetur se pse lojtari është aktivizuar vonë në ndeshjet deri më tani në këtë sezon, Simeone tha:
“Ju më njihni mua që dhjetë vjet tani. Unë jam një njeri i klubit dhe do të jem përgjithmonë”, tha Simeone.
Kjo përgjigje la të nënkuptojë që Simeone pranoi se urdhri ka qenë nga klubi për të kufizuar minutat e francezit për shkak të klauzolës në marrëveshjen e tij të huazimit nga Barcelona.
Nëse Griezmann luan më shumë se 45 minuta në 14 ndeshje këtë sezon, atëherë Atletico Madrid është i detyruar me kontratë ta transferojë atë për 40 milionë euro nga Barcelona dhe t’ia rinovojë kontratën për dy vite të tjera.

Back to top button