Sindikalistët nisin përgatitjet e veprimeve sindikale: Qeveria ngushtoi rrugën e bashkëpunimit
Kryesia ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbajti sot mbledhje të jashtëzakonshme me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale dhe të zhvillimeve të fundit që, sipas tyre, kanë ndikuar fuqishëm në përkeqësimin e gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve në Kosovë.
BSPK-ja tha se për shkak të ngecjes së madhe të dialogut social, pas shumë shkresave dhe kërkesave që ju drejtuan Qeverisë së Kosovës kohëve të fundit, nuk pati rezultate drejt përmirësimit të gjendjes së të punësuarve dhe nisjes së dialogut të mirëfilltë social, andaj thanë se nuk y mbetet rrugë tjetër veçse të nisin përgatitjet e veprimeve sindikale.
“Mos nisja e dialogut social nga Partneri Social – Qeveria ngushtoi rrugën e bashkëpunimit dhe të komunikimit duke i lënë anash përfaqësuesit e të punësuarve e duke e shtyrë Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës të nisë përgatitjen e të gjitha veprimeve sindikale për ta sjellë Partnerin Social – Qeverinë në tavolinën e bisedimeve ku do të diskutohej zgjidhja përfundimtare e kërkesave të arsyeshme të të punësuarve të cilat do të qonin drejt heqjes së kësaj gjendje të tejet të vështirësuar”, thuhet në njoftim.
Kryesia ekzekutive e BSPK-së në mbledhjen e sotme vendosi që të gjitha federatat dhe shoqatat sindikale anëtare të BSPK-së nga sot t’i hynë përgatitjeve të veprimeve sindikale, që siç u shprehën, “me qëllim të mbrojtjes së të drejtave që çojnë drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike e sociale të të punësuarve, pasi që në të gjithë sektorët, në atë të arsimit, të shëndetësisë, të policisë, të administratës e edhe në sektorët e tjerë gjendja veç sa e po vështirësohet dhe pa një dialog të mirëfilltë social nuk mund të dilet nga kjo situatë e ku roli i partnerit Social – Qeverisë është tejet i rëndësishëm”.
BSPK-ja thotë se është në pritje dhe në veprim të vazhdueshëm sindikal, dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta që të punësuarit të kenë atë që u takon nga puna që bëjnë në shoqërinë tonë, duke pasur një jetë të mirëqenë./21Media
