Sindikata e Pavarur e Arsimit e Shqipërisë mbështet grevën e SBASHK-ut, bën thirrje për dialog
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptell, tha se mbështesin SBASHK-un dhe kërkesat e tyre.
Kaptelli i bëri thirrje Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavcit që të ulet me krerët e BSPK-së dhe të marrë në konsideratë kërkesat e tyre.
“Nuk ka asnjë shtet demokratik në botë që qeveria s’i respekton mendimet e mësimdhënësve. Madje, një qeveri e përgjegjshme, duhet së pari nga të gjitha sindikatat e tjera, t’i vlerësojë sindikatat e mësimdhënësve”, ka thënë ai.
Ndryshe, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se Kryeministri Albin Kurti e Ministrja Nagavci po humbin kohë duke u shëtitur, në vend që të ulen e të bisedojnë për një zgjidhje.
Jasharaj tha se greva vazhdon, s’po zbehet dhe është unike.
“Ne nuk po shkelim të drejta të askujt por nuk është mirë të tentohet në opinion se po shkelen të drejtat e dikujt. Grevën e kemi përdorur pas 9 muajve, qeveria s’e ka bërë asnjë angazhim por vetëm me fyerje. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me qeverinë nëse ata na thërrasin. Po pati dëshirë dhe vullnet, çështja do të kryhej brenda një dite. Të drejtat e fëmijëve po e shkel qeveria e cila nuk po ulet të bisedojë me ne. I ka pasë 9 muaj kohë që t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve. Qeveria po humb kohë e orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, mësimdhënësit e Republikës së Kosovës kanë treguar unitet dhe greva po vazhdon në mungesë të gatishmërisë së Qeverisë për dialog për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Jasharaj./21Media