Sindikata kërkon intervenim urgjent: Policët janë bllokuar që 8 ditë në Jarinjë e Leposaviq

Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje Presidentes dhe Qeverisë së e Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndërrimi.
“Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizje e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit dhe zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinje kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndërrimi sipas rregullave për funksionim normal.”, thuhet në komunikatën e sindikatës.
Më tej në komunikatë thuhet  se shëndeti dhe jeta e këtyre zyrtarëve policorë që gjenden atje është e rrezikuar seriozisht për shkak të kushteve të vështira të krijuara nga rrethanat dhe ambienti në të cilin qëndrojnë.
“Duhet të kuptojmë se edhe durimi e ka fundin e vet edhe për ata që janë atje edhe për ne. Në këtë rast është tejkaluar gjithçka nga normalja sepse kemi të bëjmë me rrezikun e jetës nga sëmundje të ndryshme të zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që banojnë në atë pjesë, tani më kemi të bëjmë me krizë humanitare, prandaj duhet të intervenohet urgjentisht”, ka thënë SPK.
Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji./21Media

Back to top button