Sindikatat e Arsimit të Evropës pro ngritjes së pagave në Kosovë
SBASHK-u merr mbështetjen e ETUCE-së për projketligjin për pagat
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës-SBASHK-u bën të ditur se ka informuar me kohë Komitetin e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) me seli në Bruksel për gjenden në arsimin e Kosovës dhe për angazhimet që janë duke u bërë për realizimin e kërkesës legjitime për përmirësimin e koeficienteve për tërë sektorin e arsimit në projektligjin e pagave.
Siç thekson SBASHK përmes një komunikate, duke e parë se dialogu nuk po jep rezultate, Sindikata është detyruar që duke respektuar zërin e anëtarësisë të përgatit për grevë të përgjithshme dhe për këtë ka informuar ETUCE-n.
“Drejtorja gjenerale e Komitetin të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), që numërojnë 11 milionë anëtarë, Suzan Flocken , në emër të gjithë sindikatave të arsimit të Evropës ka përsëritur mbështetjen e fuqishme për SBASHK-un duke shtuar se ETUCE do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës të përmbush dhe zbatojë premtimet në mënyrë që koeficientet për gjithë të punësuarit në sektorin publik të arsimit të ngriten për 30%”, bën të ditur SBASHK.
Drejtorja gjenerale e Komitetit të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE), Suzan Flocken, siç theksohet në komunikatë është shprehur se do ta monitorojnë situatën dhe do të vazhdojnë me mbështetjen për SBASHK-un./21Media