Sindikatat i japin mundësi dialogut, po presin Kurtin

Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot mbajti takim me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale dhe të zhvillimeve të fundit pas protestës së 8 prillit, e cila u vlerësua e duhur dhe e nevojshme e që dha rezultatin e saj.
Në takim u paraqit një raport lidhur me takimin që është mbajtur më 18 prill, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të BSPK-së, Atdhe Hykolli.
“Në të cilin takim u bisedua për kërkesat tashmë të njohura e të paraqitura edhe në protestën e 8 prillit 2022 për vazhdimin e pagesës prej 100€ për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së, Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor, Plotësim-ndryshimi i ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, Ligji nr.04/L-131, sidomos të ndryshohet te neni 8, paragrafi 1 e nën paragrafët 1.2 dhe 1.3, që thirret në Ligjin e sigurisë pensionale të vitit 1983, pra sipas të cilit kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para 01.01.1999”, thuhet në njoftim.
Pasi ka filluar dialogu me kryeministrin dhe deklarimit të tij se kërkesat sindikale do të shqyrtohen, BSPK-ja mori vendim që, siç thonë ata, të i jepet mundësi dialogut.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon anëtarësinë sindikale se Kryesia Ekzekutive e BSPK-së pas një diskutimi të gjerë e duke pasur parasysh se ka filluar dialogu me Kryeministrin Kurti, dhe deklarimit të tij se kërkesat sindikale do të shqyrtohen me përgjegjësit qeveritarë dhe se për to do të informohet BSPK për realizimin e kërkesave te pareshtura në takimin e radhës i cili pritet që së shpejti të thirret nga Kryeministri, mori vendim që të i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje me dialog duke prolonguar veprimeve sindikale deri në takimin e ardhshëm të Kryesisë Ekzekutive të BSPK që do të mbahet me datën 28 prill 2022 . Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret nga Qeveria që do të merret seriozisht me kërkesat e anëtarësisë sindikale”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button