Kurti tha se kanë marrë masa në bashkërendim me ShBA-në, NATO-n dhe BE-në për situatën në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot vlerësoi se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak i Rusisë dhe kjo sipas tij, paraqet një ngjarje të trishtë e tragjike jo vetëm për kontinentin evropian, por me ndikimet që mund t’i ketë edhe për vendin tonë e rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Për situatën e krijuar në Ukrainë, pasi që në orët e para të mëngjesit u sulmua nga Rusia, kryeministri Kurti tha në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, janë ndërmarrë disa masa në bashkërendim me dhe bashkëpunim të ngushtë me BE-në, NATO-në, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, Kurti nuk tregoi se cilat janë ato masa.
Kurti vlerësoi se ajo që po ndodh sot në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i luftës së dytë botërore.
“Kemi ndërmarrë disa masa dhe disa konkluzione lidhur me bashkërendimin dhe bashkëpunimin sa më të ngushtë me perëndimin demokratik në përgjithësi e posaçërisht me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. por, mua më vjen keq që nuk është e duhur të flas për hollësitë e këtyre konkluzioneve”, tha ai.
Në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurisë, Kurti tha se kanë marrë vlerësime dhe informata nga drejtues të mekanizmave shtetëror.
Ai tha se në atë mbledhje kanë qenë edhe disa konkluzione lidhur më bashkëpunimin dhe bashkërendimin sa më të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO.
“Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë mbrëmë janë dëgjuar vlerësimet dhe jemi informuar nga drejtues të organeve dhe mekanizmave të ndryshëm shtetërorë. Me ç ‘rast kanë qenë edhe disa konkluzione lidhur më bashkëpunimin dhe bashkërendimin sa më të ngushtë me BE dhe NATO, Shtetet e Bashkua të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për situatën e krijuar në Ukrainë pas agresionit ushtarak të Rusisë, pas invazionit të Federatës ruse që paraqet një ngjarje të trishtë e tragjike jo vetëm për kontinentin evropian dhe natyrisht edhe për ndikimet që kjo mund t’i ketë në vendin tonë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
Sa i përket dyshimeve për vendosjen e kamerave ilegale në veri të Kosovës, Kurti theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke u marrë në mënyrë aktive me këtë çështje
“Ministra e Punëve të Brendshme është duke u marrë aktivisht me këtë çështje dhe pa dyshim që ata do ta japin për çdo gjë që kanë ndërmarrë lidhur me këtë çështje”, u shpreh Kurti.
Këto komente Kurti i bëri në konferencën vjetore për Reforma në Administratën Publike në Kosovë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Back to top button