S’ka kuorum për miratimin e raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

 
Kuvendi i Kosovës nuk pati vota të mjaftueshme për ta miratuar raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, të zgjedhurit e popullit dështuan ta miratojnë këtë raport, pasi vetëm 46 deputetë votuan për, ani pse të pranishëm në sallë ishin mbi 61 deputetë dhe përkrahje në parim i dhanë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Megjithëse tha se grupi parlamentar i LVV-së e mbështet miratimin e raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi tha se mos shtrirja e kësaj agjencie në tërë territorin e vendit është mangësi.
“Megjithëse i japim mbështetje rekomandimit për miratimin e raportit për ndihmë juridike falas, konsiderojmë se është e rëndësishëm të sjellim në vëmendje fushë veprimtarin e kësaj agjencie dhe rëndësinë që ka në ofrimin e ndihmës juridike falas për shtetasit që nuk kanë mjete financiare për angazhimin e avokatëve. Natyrisht se agjencia është përballur me sfida të ndryshime, por duke pasur justifikim për sfidat nuk mund të justifikohet mos zgjerimi i kapaciteteve dhe mos modernizimi i shërbimeve për të ofruar shërbimet”.
Përkrahje miratimit të këtij raporti i dha edhe grupi parlamentar i PDK-së, deputeti Hajdar Beqa tha se ekzekutivi duhet ta mbështet më shumë financiarisht këtë agjenci.
“Është një raport i saktë, megjithatë duhet të ketë parasysh se misioni i saj i mundëson gjithë qytetarëve të kenë qasjen ë drejtësi dhe mbrojtje për ata që s’kanë mjete të mjaftueshme”, tha ai.
Me pajtim të grupeve parlamentare seanca përfundoi punimet për sot për të vazhduar me pikat e mbetura në ditët në vijim.

Back to top button