S’ka kuorum për ndryshimin e ligjit për pensionet, mbyllen punimet e seancës së sotme

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum për miratimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji të propozuar nga AAK, opozita kërkoi heqjen e kushtëzimit 15 vjet për pensionistët kontribut pagues, ndërsa mazhoranca nuk e mbështeti.
Pro këtij projektligji ishin vetëm 22 deputetë, 31 të tjerë abstenuan, kështu nuk pati kuorum për votim.
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar largimin e nenit që sipas tij është i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët e viteve të ’90-ta të cilët ishin larguar dhunshëm nga institucionet shtetërore të vendit.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollqaku tha se komisioni përkatës i ka rekomanduar Kuvendit që të mos e përkrahë këtë nismë ligjore.
Megjithatë deputetja nga Vetëvendosje nuk e përkrah ndryshimin e këtij ligji në këtë formë.
Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu tha se propozimi nga GP i AAK-së është me vend, i cili sipas tij eliminon një pabarazi dhe një diskriminim të madh që ka ndodhur në vitet e fundit.
Deputeti nga LDK-ja Armend Muja tha se nenet e ligjit aktual janë diskriminuese dhe ofenduese.
Në fund ka reaguar, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë javën e ardhshme.

Back to top button