S’ka trajtim falas për pacientët kosovarë në Turqi, për RTV21 flasin nga Ministria
Pacientët kosovarë nuk po mund marrin më trajtim falas në Turqi, kjo për shkak se marrëveshja midis Ministrisë Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë Shëndetësisë së Turqisë është ndërprerë.
Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), në një përgjigje për portalin rtv21.tv ka thënë se kjo ka ndodh për shkak të pandemisë Covid-19.
“Ka ekzistuar një marrëveshje midis Ministrisë Shëndetësisë së Kosovës dhe Ministrisë Shëndetësisë së Turqisë, për trajtim të njëqind (100) pacienteve falas, marrëveshje e cila për momentin është ndërprerë, për shkak të pandemisë COVID-19”, thuhet në përgjigjen e FSSh-së.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë për të kuptuar se kur pritet që marrëveshja të jetësohet prapë me Turqinë pas përmirësimit të situatës me Covid-19. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë duke mos dhënë detaje tha se janë duke diskutuar me me këtë shtet..
“Gjatë pandemisë, për shkak të mbylljes së shumë shteteve, përfshirë edhe Turqinë, nuk ka pasur mundësi të realizohet bashkëpunimi si në kushtet e zakonshme, meqë nuk janë pranuar pacientë për shkak të situatës që ka qenë me COVID-19. Pas përmirësimitet situatës, Ministri jonë i Shëndetësisë ka qenë kohë më parë në Turqi, për ta diskutuar bashkëpunimin e mëtejme midis dy shteteve në shëndetesi ku është trajtuar edhe kjo çështje dhe do të trajtohet edhe më tej”, kanë thënë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në vitin 2011 ishte nënshkruar marrëveshja me Turqinë që për çdo vjet, të trajtohen falas 100 pacientë nga Kosova./21Media