Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Bertoncelj e ka konsideruar fazë të re në politikën kosovare, kryesimin e Kuvendit nga Osmani

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim ambasadorin slloven Bojan Bertoncelj. Ai ka uruar Osmanin për detyrën dhe për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Në të njëjtën kohë, ka potencuar se politika e jashtme sllovene e ka në fokus Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Bertoncelj e ka konsideruar fazë të re në politikën kosovare, kryesimin e Kuvendit nga Osmani. Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Sllovenisë ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se shteti slloven është për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal.

Ndërkaq kryekuvendarja Osmani, ka përmendur investimet sllovene në Kosovë dhe ka shtruar nevojën e  rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, posaçërisht në fushën e diplomacisë parlamentare. Ajo e ka njoftuar ambasadorin slloven me krijimin e grupeve parlamentare ​të miqësisë, njëri nga të cilët do të jetë ai me Slloveninë.

Duke e potencuar mbështetjen sllovene në shumë procese, Osmani ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e integrimit evropian./21Media

Back to top button