Smith: Ekziston një grup i fuqishëm në Kosovë që s’duan ekzistencën e Speciales

Në fillimim të gjykimit ndaj ish-krerëve të OVL e UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dalë me një komunikatë për media.
Prokurori i Specializuar, Jack Smith ka thënë se zhvillimi i këtij gjyqi është i nevojshëm sepse, siç thotë ai ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar.
Ai e ka quajtur “përshkrim të rremë” deklaratën se asnjë ushtar i UÇK-së s’ka kryer krime gjatë luftës.
“Se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu krime gjatë luftës”, thuhet në komunikatën e ZPS-së.
Sipas Smith, edhe Gucati dhe Haradinaj i përkisnin këtij grupi.
“Z. Smith vuri në dukje se z. Gucati dhe z. Haradinaj i përkasin këtij grupi dhe denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, “bashkëpunëtorë”, dhe “tradhtarë” që kanë “tradhtuar” bashkëpatriotët e tyre. Prokurori i Specializuar theksoi se Dhomat e Specializuara duhet të jenë një gjykatë që e vë fokusin te viktimat dhe një pjesë e arsyes pse ajo u krijua, dhe pse e ka selinë në Hagë, është “klima e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procese që ekziston në çështjet gjyqësore penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së””, thuhet tutje në komunikatë.
Është bërë e ditur edhe se Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave në çështjen e saj gjyqësore duke filluar nga e hëna e ardhshme./21Media

Back to top button