Sot dy vjet pa bilbilin e këngës shqipe

Sot janë bërë dy vjet që nga koha kur arti humbi të madhen, bilbilin e këngës shqipe, Nexhmije Pagarushën.
Pagarusha përpos që kishte një elegancë të paparë në skenë, ajo shquhej për zërin e saj shumë të veçantë.
Artistja e madhe la shumë perla pas vetës, duke bërë kështu që emri, këngët e vepra saj të jetojnë përgjithmonë e të shërbejnë si udhërrëfim për shumë breza të rinj.
Nexhmija nga kritika botërore është krahasuar me Maria Callas, Uma Sumak e shumë artiste ndërkombëtare ndërkaq për shqiptarët mbetet artistja më e origjinale dhe e papërsëritshme e të gjitha kohërave.
Pagarusha gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut përmes artit. Ajo asnjëherë nuk ka pranuar të këndojë diçka që i ka tejkaluar vlerat shqipe e të linte pas dore muzikën e mirëfilltë shqipe. Këtë më së miri e ka dëshmuar anulimi i një koncerti në Maqedoni, ku i ishte kërkuar të këndonte në gjuhën serbe dhe artistja ishte larguar nga skena.
”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të Nexhmije Pagarushës, e cila ishte shkruar nga Rifat Kukaj. Përveç muzikës, ajo ka qenë edhe aktore. Pagarusha ka luajtur në shumë filma dhe është cilësuar nga regjisorët si një aktore e përkryer.
Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha ishte shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit”, kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”./21Media

Back to top button