“Sot e pa dritën investimi më i madh që nga paslufta”

Investimi ka vlerën prej 1.3 miliard euro

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj bëri të ditur se investimi më i madh që nga paslufta në vlerë prej 1.3 miliard euro sot e ka parë dritën për  termocentralin “Kosova e Re”.

“Sot në Mbledhjen e Qeverisë nga përfaqësuesi i Contour Global jemi informuar se janë siguruar financat, në shkurt përzgjedhet projekti financiar dhe teknik për të proceduar në mars me punët e terrenit dhe për pak muaj edhe me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, bëri të ditur kryeministri, duke shtuar se ky investim do të sjellë një revolucion në rritje ekonomike, i cili do të arrijë deri në 7%.
Haradinaj theksoi se në Mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar Projektligji për Shërbimin e Jashtëm, i cili synon funksionalizimin e institucionit përgjegjës për politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik-konsullor.

“Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë ku zëvendësohet emërtimi nga “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës” me emërtimin “Ministria e Mbrojtjes”. Po sot, nga kabineti qeveritar është autorizuar Komisioni për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës, i cili do t’i rekomandojë Qeverisë ofertuesin më të suksesshëm’, shkroi Haradinaj në facebook.

Miratimin e kabinetit qeveritar, sipas Haradinajt e ka marrë edhe vendimi për miratim të nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët./21Media

Back to top button