“Sot festojmë edhe ne krah për krah me Shtetet e Bashkuara”

Ai shprehu mirënjohje për ndihmën e SHBA-ve ndaj Kosovës

Me rastin e 241 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe i pari i AAK-së Ramush Haradinaj ka uruar popullin amerikan.

“Kam kënaqësinë e veçantë të përcjell urimet më të ngrohta e të përzemërta për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, popullin mik amerikan, Ambasadën e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, amerikanët me mision në Kosovë dhe paqeruajtësit në radhët e KFOR-it”, ka thënë Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook”.

Ai tha se populli i Kosovës u është përherë mirënjohës qeverisë dhe popullit të SHBA-ve, për ndihmën dhe mbështetjen në realizimin e aspiratës historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të gjitha përpjekjet tona për shtet dhe dinjitet kombëtar e qytetar.

“SHBA-të janë vendi ynë mik dhe partneri kryesor strategjik në ruajtjen e paqes dhe lirisë, konsolidimit demokratik dhe zhvillimit të Kosovës”, tha ai.

Ramush Haradinaj, shtoi se sot ndjehet krenar që jemi rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara. “Sot festojmë edhe ne krah për krah me Shtetet e Bashkuara!”, përfundoi urimin e tij Haradinaj./21Media

Back to top button