Sot pritet të votohet buxheti 2021

 

Kuvendi i Kosovës zyrtarisht ka njoftuar se sot më 28 dhjetor, në ora 11:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka bërë të ditur javën e kaluar se seanca plenare është thirrur me kërkesë të më shumë se 40 deputetëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon miratimin e buxhetit para mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi Kushtetuesja vendosi se vota e deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti në qershor ishte e pavlefshme.

Thirrje për votim të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare deputetëve u kanë bërë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe shefi i GP të LDK-së Arben Gashi.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të votojë pro miratimit të buxhetit.

Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.

Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal. Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal./21Media

Back to top button