Sot ra kllapa e parë e filmit të metrazhit të gjatë “Era” me regji të Parta Kelmendit
Sot në orët e hershme të mengjesit ra kllapa e parë e filmit “ERA”. Ky është film i metrazhit të gjatë në regji dhe skenar të Parta Kelmendit.
Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë. Kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive. Shkollat paralele, ndërkohë që të rinjtë po përjetonin apartheidin dhe dhunën karshi tyre. Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.
Filmi po xhirohet me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.
Filmi “Era” realizohet nga produksioni Nam Creative, në koproduksion me RTV21 dhe produksionin nga Maqedonia e Veriut, List Production.
Skenariste dhe regjisore është Parta Kelmendi, drejtor i fotografisë Naum Doksevski, ndërsa producente e filmit është Afërdita Saraçini Kelmendi.
Në rolet kryesore paraqiten aktorët e njohur të Kosovës. Në rolin e Erës, Zana Berisha, ndërsa në rolet e tjera kryesore paraqiten aktori i mirënjohur Alban Ukaj, laureate i çmimeve ndërkombëtare, Armend Ismajli, Melihate Qena, Kumrije Hoxha, Majlinda Kosumoviq, Irena Aliu, Lum Veseli etj.
Filmi do të xhirohet në tre tapa. Një pjesë gjatë dy javëve të këtij muaji, pjesa tjetër në fund të janarit dhe pjesa e fundit gjatë muajit prill/maj.
Në kuadër të ekipit po punojnë profesionistë të spikatur të botës së filmit nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ndërkohë që logjistikën po e koordinojnë profesioniste nga RTV21 dhe List Production./21Media