Sot Remi përballet me Specialen

I intervistuari i parë i Gjykatës Speciale

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa (Remi), dje është nisur drejt Hagës, ku sot pritet të intervistohet nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara. Dje, para nisjes ai iu tha mediave se atje po shkon në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar.

“Po i përgjigjem ftesës së Gjykatës Speciale. Avokati është vendor. Janë ftesa normale. Po shkoj atje për pretendimet e Dick Martit. Po shkoj në cilësinë e dëshmitarit të dyshuar… Ftesat janë normale pas gjithë propagandës dhe raportit të Martit, që duhet të mbyllet ky pretendim i hapur”, tha Mustafa.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Gjykata do të veprojë në Hagë, me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës. Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës. Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Dje drejt Hagës udhëtoi edhe Sami Lushtaku, i cili do të intervistohet më 16 janar. Avokati i Lushtakut dhe Mustafës, Arianit Koci tha se ishte paraparë që të intervistoheshin në të njëjtin ditë, por është shtyrë pasi të dy kanë të njëjtin avokat./21Media

Back to top button