Borrell: Bëra një propozim të cilin e pranoi Vuçiqi, por e refuzoi Kurti

(Lajm i përditësuar)
16:12 – Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e sotëm për çështjen e targave ilegale.
Ai në konferencë për media, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiq, ka thënë se ka propozuar për palët që Kosova të shtyjë vendimin për targa, ndërsa pala serbe që mos të lëshojë më targa “KM”.
Borell tha se ky takim është që situata të tejkalohet në paqe dhe shmangien e krizave.
“Vitin e kaluar kemi punuar nga shmangia e krizave në krizë dhe nuk kemi pas mundësi që të merremi me çështjen e normalizimit përfundimtare dhe kjo duhet të përfundojnë…Ne kemi bërë një propozim që do të mund të shmangte këtë situatë. Presidenti Vuçiq e pranoj por jo edhe kryeministri Kurti. Pres nga Kosova që menjëherë të ndal fazën e dytë për targat dhe e thërras Serbinë që menjëherë të ndal dhënien e targave. Unë po i thërras të dy palët që t’i respektojnë këto dy çështje”, tha ai.
Përfundon takimi në Bruksel pa marrëveshje
15: 33 – Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel, ndërmjet Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Në takim nuk u arrit asnjë marrëveshje.
Fillimisht, Borrell mbajti takim ndaras me Kurtin. Pas tij, edhe me Vuçiqin.
Pas takimit, Vuçiq deklaroi se “për arsye të paqarta, nuk kemi arritur marrëveshje”.
“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.
(Lajm i përditësuar)
Po vazhdon takimi trepalësh në Bruksel edhe pas pesë orësh.
Borrell me fillim nga ora 08:00 u takua me Kurtin, në orën 09:00 me Vuçiqin. Më pas filloi takimi i përbashkët, i cili nuk ka përfunduar edhe pas pesë orësh.
(Lajm i përditësuar)
Po vazhdon takimi midis Borrellit, Lajçakut, Kurtit e Vuçiqit.
Pas takimit, Borrell do të dalë në konferencë për media, ndërkaq ora nuk është bërë ende e ditur.
Fillimisht, Borrell u takua me Kurtin, e pas tij edhe me Vuçiqin ndaras.
Më 22 nëntor kalohet nga masa e shqiptimit të qortimeve, në atë të shqiptimit të gjobave.


(Lajm i përditësuar)
Ka nisur takimi trepalësh mes Shefit të Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, Kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq
Fillimisht, Borrell zhvilloi takimin me Kurtin, pas tij me Vuçiqin.

(Lajm i përditësuar)
Pas takimit me Kurtin, Borrell takon Vuçiqin
Ka nisur takimi mes shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Fillimisht, Borrell u takua me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.
Pasi të përfundojë takimi me Vuçiqin, do të zhvillohet takimi trepalësh, të cilit i bashkëngjitet edhe Miroslav Lajçak./21Media
(Lajm i përditësuar)
Nis takimi Kurti-Borrell
Takimi mes Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell Borrellit dhe Kryeministrit Albin Kurti ka nisur.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.
Ndërkaq, Vuçiq nis takimin me Borrell në orë 09:00.
Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar./rel
(Lajm i përditësuar)
Sot takohen Kurti e Vuçiq në Bruksel
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot do të takohen në Bruksel.
Takimi Kurti – Vuçiq, pason një takim tjetër nga mesi i javës i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, në të cilin u tha se është disktuar posaçërisht çështja e targave, që nxiti reagime të mëdha ndërkombëtare. Kryeministri Kurti, gjatë javës deklaroi se Qeveria e tij po mbronte ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës dhe paqen e sigurinë në rajon.
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, do të priten në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell dhe nga Lajçak.
Fillimisht Borrell do të pret Kurtin e Vuçiqin me fillim nga ora 8:00 paradite në takime ndaras, ndërsa më pas do të ketë edhe takim trepalësh. Bëhet e ditur fokusi i takimit emergjent do të jetë që të gjendet një rrugë për të dalë nga kriza aktuale.
Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara thanë se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave, me mbështetjen e Lajçak.
Sipas vendimit të Qeverisë për targat, që nga sot ka qenë e paraparë që të nisë faza e gjobitjes, mirëpo dje Policia e Kosovës njoftoi se shqiptimi i gjobave do të nisë që prej nesër (22 nëntor)./21Media

Back to top button