Southgate optimist që Anglia do të gjejë rrugën drejt trofeve

Trajneri Gareth Southgate ka thënë që Kombëtarja e Anglisë e di që është afër që të fitojë trofe, ku kjo e fundit është duke u përgatitur që ta sigurojë kualifikimin tutje për në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
“Tre Luanët” kanë pësuar humbje në finale të Kampionatit Evropian Euro 2020 në “Wembley” nga Italia, tri vjet pasi që është eliminuar në fazën e gjysmëfinales të Kupës së Botës nga Rusia.
Kanë kaluar 55 vite që nga koha kur Anglia e ka fituar trofeun e saj të fundit, ku asokohe ishte shpallur kampione e botës në vitin 1966 dhe tani është shumë afër kualifikimit për në Botërorin “Katar 2022”.
Kombëtarja e Anglisë gjendet në vendin e parë me katër pikë larg pozitës së dytë në Grupin I dhe këtë muaj do të zhvillojë ndeshje si mysafire kundër Andorrës dhe si vendase kundër Hungarisë.
Trajneri Southgate ka qenë i kënaqur me sjelljen e lojtarëve që nga humbja në finale kundër Italisë, dhe beson që ditëve pa trofe tek Anglia është duke iu ardhur fundi.
“Ajo që më pëlqen nga ndeshjet e muajit të kaluar është që nuk kishte ndjenja të dëshpërimit në sjelljet e lojtarëve. Kishte ndjenja dhe dëshira për t’u përmirësuar, që të jemi të sigurt që hapi i radhës të jetë i duhuri, dhe që të mbajmë standardet sa më lartë çdo ditë. Fillimisht, na duhet të kualifikohemi, ky është qëllimi këto pesë ose gjashtë ditët e ardhshme, të arkëtojmë gjashtë pikë. Por sigurisht që është e qartë që ne jemi afër, që jemi të renditur në mesin e më të mirëve në botë, që rezultatet tona për një kohë të gjatë kanë qenë të mira, por e dimë që herën e ardhshme duhet të jemi më të suksesshëm”, ka thënë Southgate.
Kombëtarja e Anglisë ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë si mysafire kundër Andorrës, kurse tri ditë më vonë do të jetë vendase e Kombëtares së Hungarisë.

Back to top button