Gucati kërkon që të ndërmarren hapa për mos vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale

Gucati kërkon që të ndërmarren hapa për mos vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale

Fillimi i vitit 2020 po karakterizohet me vazhdimin e thirrjeve nga Gjykata Speciale për kosovarët. Në më pak se një muaj, Dhomat e Specializuara në Hagë u kanë dërguar thirrje për intervistim 13 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për disa pa u bërë e ditur në çfarë cilësie. Numri i madh i ftesave, sipas OVL-UÇK-së nënkupton që shumë shpejt do të ngritën edhe aktakuzat e para.

Për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale vazhdon të mbetet e papranueshme dhe e padrejtë. Hysni Gucati për Kp tha se edhe në rast se do të ketë aktakuza, ato janë të pabaza. Ai njofton se deri më tani kanë mbërritur mbi 260 ftesa.

Kryetari i OVL-UÇK-së tregon se janë lajmëruar dy raste, të cilët janë thirrur nga Specialja, e këta të fundit dëshmojnë se gjatë luftës nuk kanë qenë fare në Kosovë. Krahas kësaj, Gucati deklaroi se do të vazhdojnë të kundërshtojnë këtë gjykatë. Për mos vazhdimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, njoftoi se do të ketë edhe protesta. Ai kërkon nga legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin hapa për mos vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale.

Megjithatë, mbrojtësi ligjor i disa nga të intervistuarve nga Specialja, Arianit Koci tha se mandati i Dhomave të Specializuara zgjat aq sa dëshiron Këshilli i Bashkimit Evropian. Ai thekson se është iluzion të mendohet se çështjet e krimeve të luftës përfundojnë për pesë vjet. “Gjykata Speciale është themeluar në bazë të amandamentit kushtetues numër 24. Mu me këtë amandament kushtetues është bërë një lojë me deputetët tanë, për shkak se në atë kohë ju e dini që ka pasur deputet që kanë qenë potencialisht edhe në konflikt interesi, pra disa e kanë ditur që mund të hetohen ose edhe me u akuzu prej Gjykatës Speciale, dhe është krijuar një lloj kreativiteti juridik. Në amendamentin kushtetues thuhet se mandati i Gjykatës Speciale është pesë vjeçar, por ky amandament më tutje bën referenca në ligj, jep dispozita me dy kuptime, me shumë kuptime dhe në fund përfundon me dispozitën se mandati i Gjykatës Speciale përfundon kur Këshilli i BE-së informon se kanë përfunduar hetimet dhe gjitha procedurat në lidhje me ato hetime”, deklaroi Koci.

Hysni Gucati kërkon një gjykatë vendase që të merret me krimet serbe në Kosovë, pasi që gjatë luftës në vendin tonë kanë ndodhur 460 masakra dhe ende nuk ka asnjë serb të dënuar. Kjo gjykatë çoi vendin në zgjedhje, pasi kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj u ftua në Hagë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale dhe për shkak të kësaj ftese ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Specialja ftoi edhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin.