Spitali i Ferizajt pajiset me 20 shtretër

Sipas drejtorit të spitalit, furnizimi me shtretër ishte i domosdoshëm

Reparti i Dializës ka 25 shtretër dhe ofron shërbime 24 orë. Aktualisht, në Spitalin e Ferizajt, trajtohen 81 pacientë, ndërsa gjatë verës numri rritet, pasi që aty marrin tretman edhe raste nga diaspora. Kështu ka bërë të ditur QKUK, përmes një komunikate për media.

Drejtori i Spitalit, dr. Jeton Zeqiri, ka thënë se ndryshimet e fundit i japin një pamje tjetër pavijonit dhe ngritin cilësinë e shërbimeve për pacientët. Sipas tij, furnizimi me shtretër të rinj ka qenë i domosdoshëm.

“Shtretërit, të cilët kanë qenë më herët në spitalin e Ferizajt, kanë qenë të amortizuar dhe jofunksional. Kemi gjetur mirëkuptimin dhe qysh në momentin e parë kemi pranuar 20 shtretër dhe tash, ecuria e punës është shumë më relaksuese dhe pacientët janë të kënaqur me shërbimet”, ka bërë të ditur Zeqiri.

Makfir Lozha, kryeinfermier në Repartin e Dializës, në anën tjetër, ka deklaruar se investimet e fundit e kanë bërë më të lehtë punën e stafit, derisa pacientët ndihen më mirë.

“Pacientët ankoheshin në boshtin kurrizor, sepse ishin dyshekët e hollë dhe nuk kishte lëvizje me elektronikë sikur tani, kurse tani ndihen shumë më komod, sa i përket anës së tretmanit”, ka pohuar Lozha.

Përveç qytetarëve të Ferizajt, në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga Komuna e Kaçanikut, Hanit të Elezit dhe Shtërpcës.

Back to top button