​“S’po muj mo” nëpërmjet protestës kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

(Lajm i përditësuar)


​“S’po muj mo” nëpërmjet protestës kërkohet drejtësi për Agon Zejnullahun

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para stacionit të policisë në Lipjan, në një protestë paqësore për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Agon Zejnullahut, i cili humbi jetën gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë.

“Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policor”, “Kush na mbron prej policisë” janë brohoritjet e protestuesve të cilët filluan protestën nga objekti i komunës deri para stacionit të policisë.

Të pranishëm në protestë ishin edhe familjarët e të ndjerit, të cilët përmes pankartave dhe thirrjeve, kërkuan hetim të plotë dhe transparencë lidhur me rastin. Protesta u zhvillua në mënyrë të qetë, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan përgjegjësi institucionale për ngjarjen, raporton KosovaPress.

Alban Zejnullahu, vëllau i Agon Zejnullahut tha se nuk janë mbledhur për urrejtje por për të kërkuar drejtësi.

Ai kërkoi nga institucionet hetim të plotë, transparent dhe kërkoi përgjegjësi.

“Zëri ynë është arma jonë…Të dëgjohet thirrja jonë nga çdo institucion”, tha ai.

“S’po muj ma”, “Mundesh me paragjyku, ama frymën nuk bën me ia ndal askujt”, “Unë s’kërkoj më jetë, kërkoj vetëm të mos më harrojë drejtësia”, “Mos harroni drejtësia është themeli i lirisë”, “Nuk kërkoj hakmarrje kërkoj drejtësi”, janë disa nga mbishkrimet e pankartave që mbanin protestuesit në duar.

Agon Zejnullahu ndërroi jetë më 7 korrik 2025, në Lipjan, gjatë arrestimit nga policia.

Ndërkaq, më 9 korrik, pesë zyrtarëve policor të përfshirë në këtë rast u është caktuar nga Gjykata Themelore masa e paraburgimit prej një muaji.

Një ditë pas rastit, ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se të gjitha rrethanat e këtij rasti duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale dhe secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk do të ketë strehë në institucione për këdo që ka tejkaluar kompetencat apo ka shkelur ligjin gjatë ushtrimit të pozitës zyrtare.

Për vdekjen e 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu ka folur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, për çka tha se nuk do të tolerojnë që në çfarëdo forme eventuale të ketë tejkalime të autorizimeve policore. Ai kërkoi nga Inspektorati policor i Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të përdorin të gjitha burimet e nevojshme për të hetuar rrethanat e vdekjes së Zejnullahut.


Vëllai i Agon Zejnullahut: Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, jo heshtje institucionale

Në qytetin e Lipjanit sot po mbahet një protestë për rastin tragjik të vdekjes së 27 vjeçarit, Agon Zejnullahu, i cili vdiq tragjikisht në duart e pesë policëve të Kosovës derisa po tentonin ta arrestonin.

Në protestë, po marrin pjesë edhe familjarët e Agon Zejnullahut.

“Drejtësi për Agonin”, “Poshtë brutaliteti policr”, kanë qenë thirrjet e protestuesve që janë mbledhur para objektit të Komunës së Lipjanit, për të lëvizur pastaj në drejtim të stacionit të Policisë në këtë qytet.

Vëllai i tij, Alban Zejnullahu, ka thënë se sot kërkojnë hetim të plotë dhe transparent për Agonin, e se si familjarë duan drejtësi në këtë rast.

“Sot nuk jemi mbledhur për urrejtje, jemi këtu për të kërkuar drejtësi. Sot jemi këtu për Agonin, një djalë, një jetë, një zë që nuk mund të heshtet. Jemi këtu sepse drejtësia nuk është privilegj, por e drejtë. Agoni nuk është vetëm një emër, është simbol i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, kërkojmë përgjegjësi, veprim ligjor jo heshtje institucionale”, ka thënë ai para mediave sot.


Sot mbahet protesta pranë stacionit policor në Lipjan për Agon Zejnullahun

Vëllai i të ndjerit – Agon Zejnullahut, Alban Zejnullahu i ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen protestës së sotme në ora 11:00, pranë stacionit policor në Lipjan.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga Zejnullahu.

Zejnullahu ka kërkuar që institucionet të kujdesen për jetën e çdo qytetari.

Derisa, ai ka thënë se protesta do të jetë paqësore pa asnjë konotacion politik duke kërkuar drejtësi për Agonin.

“Ne si familjarë jemi thellësisht të tronditur nga humbja që kemi pësuar. Megjithatë, në gjithë këtë vuajtje, po mbledhim veten për ta kthyer rastin tragjik të Agonit në forcë dhe kauzë mbarëkombëtare. Institucionet kanë një detyrë themelore: të kujdesen minimalisht për jetën tonë – gjë që, në rastin e Agonit, nuk ndodhi. Ju ftojmë të gjithëve t’i bashkoheni protestës. Ajo do të jetë paqësore, pa asnjë konotacion politik, dhe me një kërkesë të vetme: Drejtësi për Agonin. Le të jetë kjo hera e fundit që një qytetar humb jetën nga dështimi i atyre që duhet ta mbrojnë”, ka njoftuar Zejnullahu.

Back to top button