​Sporti i dha shumë Kosovës – a po ia kthen shteti “borxhin”?

Sporti në Kosovë vazhdon të shihet një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit shtetëror dhe përfaqësimit ndërkombëtar. Nga medaljet olimpike te suksesi i sportistëve në arenën botërore, sporti ka qenë shpesh përpara institucioneve në ndërtimin e imazhit të vendit tonë. Për këtë arsye, investimet në sport, infrastruktura dhe mbështetja institucionale po trajtohen gjithnjë e më shumë si një detyrim ndaj një sektori që ka dhënë shumë për shtetin, raporton KosovaPress.

Por, sa po bën shteti për sportin?

Viti 2025 ka shënuar një rritje të ndjeshme të investimeve në infrastrukturën sportive. Vlera totale e kontraktuar për projekte të reja brenda këtij viti arrin mbi 96 milionë euro, duke përfshirë një gamë të gjerë projektesh që shtrihen nga 1 deri në 5 vite. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë mbi 35 projekte të reja dhe po aq punishte të reja, nga fusha tenisi me vlerë 200,000 euro deri te stadiume që kapin shifrën e 19 milionë eurove. Këto janë projekte që kanë filluar zbatimin vetëm gjatë vitit 2025, pa përfshirë punët e nisura në vitet paraprake, duke treguar përmasa të konsiderueshme të zhvillimit infrastrukturor në sport.

Për rolin historik të sportit në rrugëtimin shtet-formues, ka folur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Sipas tij, sporti ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në afirmimin e Kosovës para dhe pas pavarësisë, ndaj qeveria po përpiqet t’ia kthejë këtë borxh përmes investimeve dhe mbështetjes konkrete.

“Besoj që sporti ynë është më i vjetër se shteti ynë… Te pavarësia e Kosovës, shtet-ndërtimi ynë demokratik ka kontribuar shumë sporti. Tash, ne po përpiqemi me krejt çfarë dimë e mundemi, t’ia lajmë një pjesë të vogël të borxhit të madh që kemi ndaj tyre dhe besoj që këtë po e bëjmë si asnjë qeveri para neve. Sporti është jo vetëm imazh ndërkombëtar, por sporti njëkohësisht është edhe shëndet, sidomos për rininë, dhe atë jo vetëm fizik, por edhe mendor. Prandaj, çdo euro e investuar në sport, kthehet shumëfish për qytetarët mbarë”, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerëson se shteti dhe institucionet lokale kanë gjithmonë hapësirë për të bërë më shumë për sportin.

“Gjithmonë mund të bëjë shteti shumë më shumë për sportin sesa që po bën sporti për shtetin. Kemi sportistë të mrekullueshëm ndërkombëtarë tash që po na e zdritin fytyrën ndërkombëtarisht në sporte të ndryshme. Uroj që edhe institucionet, ne si kryeqytet jemi duke bërë të pamundurën që të investojmë sa më shumë në sport. Në programin tonë katërvjeçar tash kemi përveç projekteve madhore të fshatit olimpik, i cili është pjesë e proceseve tona. Kemi edhe gjimet vertikale, të cilat i kemi të parashikuara për t’i instaluar nëpër lagje të ndryshme për të prurë sportin afër qytetarëve, sportistëve, të rinjve tanë aty ku jetojnë. Pra, të investojmë sa më shumë që është e mundur, sepse kjo është investim në të ardhmen tonë. Nëse investojmë në sport, në rininë tonë, do të kemi rini më të shëndetshme, edhe në aspektin psikik edhe në aspektin fizik”, deklaron Rama për kp.

Ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, pranon se janë bërë hapa të rëndësishëm nga shteti, si shpërblimet për medalistët olimpikë dhe ligji për sponsorizim. Megjithatë, ai thekson se këto masa nuk janë të mjaftueshme pa investime serioze në infrastrukturë sportive.

“Kur të shikosh kontributin e sportit për shtetin, shteti është munduar t’ia kthejë dhe janë bërë hapa jashtëzakonisht të rëndësishëm, siç janë shpërblimet e përhershme, shpërblimet kur fitohet medalja olimpike, pastaj, ligji për sponsorizime. Mirëpo, shteti duhet të bëjë edhe më tepër për ndërtimin e infrastrukturës sportive, për përgatitjen e njerëzve që të na përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare”, tha Hasani.

Sportistët kosovarë vazhdojnë të sjellin suksese dhe të përfaqësojnë vendin me dinjitet në skenën ndërkombëtare, derisa debati për rolin e shtetit në zhvillimin e sportit mbetet aktual dhe i domosdoshëm.

Back to top button