Stano: Kosova përgjegjëse për të hetuar sulmin në Banjskë, BE-ja ende s’ka rezultate

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se hetimet për sulmin në Banjskë duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës.
Ai në një konferencë për media tha se autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për të hetuar dhe për të ofruar dhe ndarë raportin final të hetimeve të plota pasi që sipas tij rasti ka ndodhur në territorin e Kosovës.
“Kur bëhet fjalë për hetimet. Para së gjithash hetimet duhet të bëhen nga autoreitetet e Kosovës, nëse i referoheni incidentit në Banjska më 24 shtator të vitit të kaluar. Kjo është një gjë që ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe autoritetet e Kosovës janë përgjegjëse për të hetuar dhe për të ofruar dhe ndarë raportin final të hetimeve të plota. Kjo ende nuk ka ndodhur dhe ne nuk mund të procedojmë pa i pasur rezultatet e këtyre hetimeve”, tha Stano.
Tutje, Stano tha se BE ka kohë që e ka bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me sulmin në Banjskë, shkruan rtv21.
“Menjëherë pas sulmit, pas disa ditëve, javëve dhe muajve në e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se çfarë presimn nga Kosova dhe Serbia edhe kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen për këtë sulm të tmerrshëm nga ana e Serbisë dhe nuk po flas këtu për shtetin e Serbisë, por nga ana e Serbisë. Sërish kjo është, ishte dhe duhet të jetë çështje e hetimeve dhe gjetjet shpresojmë që do të futen në raportin e hetimeve përfundimtare. Kjo nuk është bërë ende apo të paktën kjo nuk është ndarë me ne deri në këtë kohë”, shtoi ai./21Media