Stano për RTV21: Të zbatohet marrëveshja bazë përfshirë themelimin e Asociacionit

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për RTV21 ka thënë se presin nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjes bazë dhe aneksit të saj ku bënë pjesë edhe themelimi i Asociacionit. Duke iu përgjigjur pyetjes së RTV21 nëse BE-ja e konsideron shkelje të marrëveshjes bazë me rastin e votës së Serbisë kundër Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Stano tha se u takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj.

“Këshilli i Evropës luan një rol qendror në promovimin e vlerave themelore evropiane dhe standardeve të përbashkëta, duke përfshirë të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e pakicave. U takon anëtarëve të Këshillit të Evropës që të vendosin për çështjet që lidhen me këtë organizatë, duke përfshirë anëtarësimin e saj.
Vëmë re se Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka diskutuar dhe miratuar këtë javë draft opinionin statutor për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të përgatitur nga raportuesja znj. Dora Bakoyannis. Pavarësisht nga diskutimet e KiE; në Dialogun Beograd-Prishtinë, BE-ja vazhdon të presë që të gjitha dispozitat e marrëveshjes së vitit 2023 për rrugën drejt normalizimit të zbatohen në mënyrë të përshtatshme, në mirëbesim dhe në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – për të cilën palët ranë dakord në aneksin e zbatimit në Ohër. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, që është mënyra më konkrete për të siguruar mbrojtjen e komunitetit serb të Kosovës. Është për të ardhur keq që përkundër përpjekjeve të BE-së dhe komunitetit më të gjerë ndërkombëtar, deri më tani ka pasur progres shumë të kufizuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia në zbatimin e detyrimeve që kanë pranuar sipas kësaj Marrëveshjeje”, tha Stano./RTV21/21Media

Back to top button