Stano: Vendimi i Kosovës për targat është legjitim

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj afatin për zbatimin e vendimit për targat. Një zëdhënës i BE-së, Peter Stano i tha RTV21 se shtyrja e afatit do t’u mundësonte qytetarëve serbë të Kosovës të pajisen me dokument të Kosovës.
BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Por, ai tha se BE i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj.
Stano tha se shtyrja do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur. Gjithashtu, tha ai, shtyrja do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.
Stano u thirr në marrëveshjet e Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016 të cilat, siç tha, parashohin që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të planit me qëllim të përgatitjes dhe zbatimit në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane.
Bashkimi Evropian thotë se konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Deklarimet e Stanos erdhën pak ditë përpara se Qeveria e Kosovës të nisë zbatimin e vendimit të saj për targat, që skadon më 31 tetor.
Peter Stano i tha RTV21 se duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo, tha ai, është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon./21Media

Back to top button