Statujë për legjendën e basketbollit në vendin ku u rrëzua helikopteri

Legjenda e Los Angeles Lakers, Kobe Bryant dhe vajza e tij Gianna u përkujtuan me një statujë bronzi të vendosur në vendin e rrëzimit në dyvjetorin e përplasjes së helikopterit ku humbën jetën nëntë njerëz.
Statuja e ikonës së basketbollit me vajzën Gianna 13-vjeçare, u vendos në vendin e aksidentit tragjik në një zonë malore të Calabasas në Los Angeles.
Skulptori, Dan Medina, shkroi ‘Heronjtë vijnë dhe shkojnë, por legjendat janë përgjithmonë’ dhe nderoi shtatë viktimat e tjera me emrat e tyre në një pllakë, në bazën e statujës.
Pjesa përshkruan Kobin duke parë me adhurim Gianna-n, e cila ishte vetëm 13-vjeçare në kohën e vdekjes, me krahun e majtë mbi supin e saj, transmeton rtv21.tv.
Dhjetra njerëz i bënë nderimet e tyre legjendës së basketbollit dhe viktimave të tragjedisë duke vendosur lule dhe objekte kujtimesh përpara statujës.
Kobe, i cili ishte 41 vjeç në kohën e vdekjes së tij, dhe Gianna po fluturonin nga Orange County për në një turne basketbolli për të rinjtë në Akademinë e tij Sportive Mamba në Ventura County, kur piloti hasi në mjegull të dendur dhe u përplas në një kodër më 26 janar 2020./21Media

Back to top button