Steinmeier në Shkup: BE-ja pret normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet në agjendën evropiane, ashtu si edhe pritjet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Steinmeier i bëri këto komente në Shkup, ku të martën qëndroi për vizitë zyrtare.
Pas takimit me presidentin maqedonas, Stevo Pendarovski, ai tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është i arritshëm.
Ai nuk dha ndonjë afat për këtë, por theksoi nevojën e zbatimit të reformave të domosdoshme për anëtarësim në BE.
Kreu i shtetit gjerman tha se vizita e tij në Shkup është në funksion të përcjelljes së mesazhit se rajoni është në agjendën evropiane.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Steinmeier tha se normalizimi sa më i shpejtë i raporteve mes tyre është në interesin e BE-së.
“… për këtë janë bërë edhe propozime. Gëzohem që propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet. Kjo mund t’i inkurajojë palët që të vazhdojnë të bashkëpunojnë në këtë sferë”, tha presidenti gjerman.
Propozimi që përmendi ai – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.
Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.
Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.
Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

Gjatë qëndrimit në Shkup, presidenti gjerman tha se rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka edhe bashkëpunimi mes shteteve që bëjnë pjesë në nismën e njohur si Procesi i Berlinit.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si platformë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë – për të përshpejtuar përafrimin e tyre me BE-në
Në kuadër të saj u arritën edhe disa marrëveshje, të cilat i përmendi Steinmeier.
“Mendoj se udhëtimi me karta identiteti, njohja reciproke e diplomave shkollore dhe universitare, gatishmëria e BE-së për të ndihmuar në problemet energjetike, paraqet një progres të rëndësishëm dhe etablimin e rajonit në një treg të përbashkët”, tha presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier./Rel
Back to top button