STIKK organizon edicionin e dhjetë të festivalit të teknologjisë “KosICT” 

 
Më 22 dhe 23 tetor në ambientet e “ITP Park” në Prizren do të mbahet konferenca më e madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Hapja e festivalit do të bëhet nga kryeministri Albin Kurti, ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde dhe mysafirë të tjerë diplomatikë.
Festivali do të pasurohet edhe me aktivitete tjera, me fokus të veçantë në theksimin e ekosistemit të plotë të TIK-ut në Kosovë.
Disa prej këtyre aktiviteteve janë Innovation Fair, panairi i kompanive Start-up i cili organizohet në partneritet me ICK, takime të shumta B2B dhe matchmaking në mes të kompanive vendore dhe atyre ndërkombëtare të organizuara nën frymën e Enterprise Europe Network (EEN), rrjeti më i madh biznesor në Evropë, këndi i Future Developers (Zhvilluesve të rinj) i mbështetur nga VIGAN ku fëmijët e moshave 6 deri 16 do të prezantojnë projektet e tyre, panairi i kompanive vendore të TIK-ut të cilat e kanë hap rrugën për zhvillimin e këtij sektori, e aktivitete të tjera të shumta.
Në përmbyllje të festivalit, hapësirë do t’i jepet komunitetit të lojtarëve (gamers), ku janë planifikuar dy turne në lojëra elektronike, i pari një turnir në Counter Strike: Global Offensive, ku do të ndeshen ekipet e krijuara nga kompanitë e TIK-ut në vend dhe fituesi do të përzgjedhë një kauzë bamirësie për të cilën do të dhurohet shpërblimi i mbledhur në formë monetare, ndërsa turniri i dytë do t’u dedikohet ekipeve profesionale të sportit elekronit DOTA 2 nga vendi dhe rajoni ku 3000 euro do të ndahen si shpërblime për 3 vendet e para.
Ndryshe, “KosICT” mbulon tema të ndryshme që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, që janë në trend global dhe kanë ndikuar në industrinë tonë. Ky është viti i 10-të i organizimit të konferencës më të madhe të teknologjisë në rajon KosICT10.

Back to top button