Stoltenberg dhe Tillerson bisedime për konfliktin në Ukrainë

Konflikti ka shkaktuar vdekjen e 10 mijë personave

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson do të takohen sot me presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, si pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

”Tillerson do të rikonfirmojë vendosmërinë e Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërkohë që do të nxisë qeverinë e Kievit të vazhdojë në zbatimin e reformave që do të forcojnë situatën ekonomike, politike dhe ushtarake të Ukrainës”, thuhet në një deklaratë të DASH-it.

Ukraina miratoi këtë javë legjislacionin për një pozicionim më të mirë për anëtarësimin në NATO, çka do të nxisë me siguri reagimin rus.

Konflikti mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve prorusë ka shkaktuar deri tani vdekjen e 10 mijë personave, sipas OKB-së.

Back to top button