Stoltenberg: FSK-së nuk i lejohet prania në veri, pa miratimin e KFOR-it

Aleatët e NATO-s, të zhgënjyer me taksën ndaj Serbisë!

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg para takimit dyditor të ministrave të mbrojtës së vendeve anëtare që pritet të mbahet më 13 dhe 14 shkurt në Bruksel, ka folur edhe për Kosovën, për të cilën do të diskutohet edhe në ditën e dytë të ktij takimi.

Stoltenberg foli për FSK-në e edhe për taksën e vendosur nga Qeveria për produktet serbe.

“Disa vende anëtarë të NATO-së janë të zhgënjyera me vendimin për taksën”, u shpreh Stoltenberg.

Sekretari gjeneral i NATO-s tha se do të asistojnë FSK-në gjatë fazës së transformimit të saj në ushtri, por kujtoi se misioni i KFOR-it do të mbetet i pandryshuar.

“KFOR-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit në të gjithë Ballkan Perëndimor. Misioni i trupave nuk do të ndryshojë dhe këtë duhet ta kemi të qartë. Ne do të asistojmë në ndryshimin e mandatit të FSK-së, por ende nuk e kemi vendosur se si do ta bëjmë një gjë të tillë, pasi disa vende anëtare mendojnë se ky transformim po ndodh në kohë të papërshtatshme”, u shpreh ai.

Stoltenberg nënvizoi se FSK duhet të kujdeset që të respektojë të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe atë që i ndalon prezencën e saj në Veriun e vendit pa miratimin paraprak të KFOR-it.

“Disa aleatë në NATO janë të zhgënjyer me vendimin për vendosjen e taksës. Gjithashtu kërkojmë respektimin e Marrëveshjes së Brukselit, ku është e qartë se forcat e sigurisë vendore nuk mund të hyjnë në veri pa lejen e komandantit të KFOR’it”, është shprehur Stoltenberg.

Back to top button