Stoltenberg i bindur se Ukraina do t’i bashkohet përfundimisht NATO-s

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk do të përfundojë së shpejti. Prandaj, të gjithë duhet të përgatiten për një luftë të zgjatur. Kështu tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për grupin mediatik gjerman Funke.

“Shumica e luftërave zgjasin më shumë se sa pritej kur fillojnë. Prandaj ne duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainë,” tha ai.

Stoltenberg theksoi se të gjithë do të donin një paqe të shpejtë. Por, sipas tij, nëse ukrainasit pushojnë së luftuari, ata do të humbasin ndaj Rusisë.

“Por në të njëjtën kohë, ne duhet të pranojmë: nëse presidenti Zelensky dhe ukrainasit pushojnë së luftuari, vendi i tyre nuk do të ekzistojë më. Nëse Presidenti Putin dhe Rusia heqin armët, ne do të kemi paqe”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Ai shprehu gjithashtu besimin se Ukraina do t’i bashkohet përfundimisht aleancës.

“Nuk ka dyshim se Ukraina do të jetë përfundimisht në NATO”, theksoi Stoltenberg.

Back to top button