Stoltenberg për situatën në veri: Jemi të gatshëm dhe vigjilentë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se duhet të shmangen deklaratat që kontribuojnë në eskalimin e konfliktit dhe të veprimeve në veri të Kosovës.
Në një intervistë për France 24, i pari i Aleancës Veriatlantike theksoi se janë të gatshëm për reaguar.
“Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe vigjilente. Ato janë duke e vëzhguar situatën me shumë kujdes. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Bashkimin Evropian. Kërkoj nga palët që të përmbahen nga retorika që kontribuon për eskalimin e konfliktit dhe ta ndihmojnë uljen e tensioneve”, tha Stoltenberg.
Më tej Jens Stoltenberg shtoi se NATO-ja është shumë e njohur me luftërat në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
“NATO-ja është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një his tori të gjatë. Kemi ndihmuar për t’u dhënë fund dy luftërave entike, së pari në Bosnjë e Hercegovinë dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona ende janë të pranishme përmes forcave të NATO-s, KFOR-i ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe të situatës” , deklaroi ai.
Situata e sigurisë në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë sikurse edhe në ditët e kaluara.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti për portalin rtv21.tv tha se nuk ka ndonjë ndryshim. Ndërsa, nuk është shënuar ndonjë incident.
Disa serbë lokalë, që nga 10 dhjetori, kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Barrikadat janë ngritur pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji./21Media

Back to top button