Strukturat paralele serbe nuk zbatojnë vendimin komunës së Mitrovicës së Veriut

Punonjësit e strukturave paralele serbe kanë refuzuar që të lirojnë objektin në Lagjen e Boshnjakëve, pavarësisht skadimit të një afati që komuna e Mitrovicës së Veriut iu ka dhënë. Ata thanë se presin një urdhër nga Beogradi zyrtar. Policia e Kosovës tha se nuk ka intervenuar gjatë ditës meqë nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga institucionet e Kosovës për asistim. Ndërkohë, presidenti serb Vuçiq ka thënë se nuk duhet të lëshohen objektet për të cilat thotë se nuk kanë qenë kurrë të Kosovës.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, nuk ka pranuar të flas gjatë ditës për mos respektimin e vendimit nga strukturat paralele serbë në këtë objekt që dikur i përkiste Prokurorisë Themelore. Ndërkohë, para objektit që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve janë parë trupa te KFOR-it, por jo edhe të Policisë së Kosovës. Përveç disa veturave të patrullave të Policisë që kalonin para objektit.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, tha gjatë ditës se nuk kanë marrë një kërkesë për asistim për largimin e punonjësve të strukturave paralele serbe nga objekti që gjendet në Lagjen e Boshnjakëve.

“Deri tash nuk e kemi një kërkesë për largimin e punonjësve nga objekti. Ne jemi të gatshëm të veprojmë pavarësisht orës së kërkesës. Do të ishte më mirë që të kemi informacionin”, tha Elshani për RTV21.

Por ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga Beogradi tha se nuk ka kurrfarë diskutimesh lidhur me atë që serbët në veri të Kosovës t’ua lëshojnë ndërtesat dhe pronat atyre të cilëve, sipas tij, ato nuk iu përkisnin kurrë.

“Diskutohet që serbët të lënë vatrat e tyre shekullore, t’ua lënë ndërtesat dhe pronën e tyre atyre të cilëve nuk u ka qenë kurrë”, tha Vuçiq.

Në Mitrovicë ndërkohë, analisti politik, Nexhmedin Spahiu, tha se institucionet e Kosovës nuk kanë se çka të bisedojnë me Serbinë për lirimin e hapësirave që i përkasin komunës. Sipas tij, Qeveria duhet ta zbatojë ligjin dhe ta lirojë objektin.

“Qeveria nuk duhet të dorëzohet ndaj një presioni të tillë. Është rrugës që atë objekt ta shfrytëzoi Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, tha Spahiu.

Aktualisht në objekt është e vendosur Zyra për Fondin Pensional dhe tri institucione të tjera paralele serbe: Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës.

Nisur nga ky fakt, analisti serb, Branislav Kerstiq, mendon se përmes një marrëveshje politike duhet të zgjidhen problemet në veri.

“Nga pushteti i kaluar nga Lista Serbe asgjë nuk kanë regjistruar me obligimet ligjore për dërgimin e punonjësve në objekt. Ky objekt është i mbushur me institucionet paralele. Por, ky është një vendimin e pamatur i pushtetit lokal”, tha Kerstiq

Vendimi i administratës se komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e serbeve nga objekti fillimisht ishte paraparë për 25 gusht, por i njëjti u shty për dy jave të tjera dhe ai përfundon sot. Afati prej 14 ditësh u ishte dhënë për t’u krijuar hapësirë kohore për largim të dokumentacionit./21Media

Back to top button