Kaloni te përmbajtja kryesore

Studio e hapur, Kosova votoi-kush i fitoi zgjedhjet lokale?

RTV21 do ju mbajë të informuar, zhvilim pas zhvillimit.


​Nga 51 % e votave në Junik, prin LDK-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar të gjitha votat në Junik dhe ka dhënë detaje për 51. 31 përqind e votave, ku prin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ruzhdi Shehu me 47,91% ose 1,193 vota.

Pas tij është Agron Kuçi i AAK-së me 40,68% ose 1,013 vota dhe Jetmir Tofaj i Lëvizjes Vetëvendosje me 11,29% ose 281 vota.

E vetëm tri vota ka marrë Fatos Shala i PDK-së.

Përndryshe, deri tash janë përpunuar 2,490 vota nga 4,846 gjithsej sa pritet të përpunohen.


​VV kremton në Gjilan, Alban Hyseni: Festa është e jona, fitorja është e juaja

Kandidati për kryetar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Alban Hyseni ka shpallur fitoren në Gjilan dhe ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e madhe.

Hyseni tha se gjatë mandatit të tij të ri do të punojnë me projekte të pandalshme.

“Ne kemi paralajmëruar se gara në Gjilan, do të jetë e vështirë, por do të ketë një përfundim dhe ky përfundim që kemi deri më tash, na nxjerrin neve fitues të padiskutueshëm”, tha ai pa dhënë shifra zyrtare mbi rezultatet për kryetar të Gjilanit.

“Gjilani ka dëshmuar se është qendër kulturore me njerëz që kanë dinjitet dhe që në gara politike tregojnë maturi. Festa është e jona, fitorja është e juaja”, shtoi ai.

KQZ deri më tash ka numëruar 41.972 nga gjithsej 107,858 vota ose 38.91 për qind nga 130 vendvotime nga 133 sosh ose 97.74 për qind. Alban Hyseni ka 49.81 për qind ose 20.907 vota. Arbër Ismajli nga LDK-ja renditet i dyti me 34.18 për qind ose 14.347 vota.

Në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votimi me postë./kp


Për një fije floku, diferencë minimale mes Tahirit e Pecit

Garë e ngushtë po zhvillohet në Mitrovicë. Kandidati i PDK-së, Arian Tahiri dhe ai i LVV-së, Faton Peci kanë diferencë shumë të vogël në numrin e votave.

Sipas KQZ-së, në 99.0% vendvotime të numëruara prin Tahiri me 15,278 vota ose 48.07%.

Kurse, i dyti Peci me 15,146 vota, 47.66%./21Media


L​VV e Albin Kurti heshtin pas përfundimit të procesit të votimit

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po vazhdon të heshtë edhe pas më shumë se tri orë nga përfundimi i zgjedhjeve lokale.

Partia e mandatarit për formimin e qeverisë së re duket se nuk i ka punët mirë sipas rezultateve të deritanishme në komunat e Kosovës.

Partitë e tjera LDK, AAK e PDK deri më tash kanë mbajtur konferenca për media në të cilat kanë treguar mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe rezultatet e tyre nëpër komuna, por një gjë të tillë nuk e ka bërë ende Lëvizja Vetëvendosje.

Shpejtim Bulliqi, kandidat i kësaj partie, ka shpallur fitoren e tij në Podujevë përballë kandidatit të LDK-së, teksa prin edhe sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së vazhdon të prijë me rreth 53 për qind të votave nga mbi 33.5 për qind e votave të numëruara deri më tash.

Taulant Kelmendi renditet i dyti në Pejë, por nuk dihet nëse do të shkojë në balotazh pasi epërsia e Gazmend Muhaxherit nga LDK-ja është e madhe, rreth 46 për qind. Halil Thaçi i VV-së renditet i dyti në Obiliq sipas rezultateve preliminare. Qemajl Aliu prin mbi 50 për qind në Shtime. Artan Abrashi pritet të shkojë në balotazh me Shaqir Totajn e PDK-së.

Në kryeqytet Hajrulla Çeku pritet të shkojë në balotazh me kryetarin aktual nga radhët e LDK-së Përparim Rama. Ndërsa në Prizren Artan Abrashi pritet të shkojë në balotazh me Shaqir Totajn e PDK-së.

Vetëvendosje pritet të fitojë në Gjilan me kandidatin Alba Hyseni, i cili deri më tash ka fituar mbi 49 për qind të votave nga 25.88 për qind e votave të numëruara. Ardian Gola në Gjakovë mund të shkojë në balotazh me Ardian Gjinin e AAK-së, pasi për momentin renditet i dyti nga 25.62 për qind e votave të numëruara./kp


Gara për Prishtinën, Rama e Çeku drejt balotazhit

Deri tash janë numëruar më shumë se 22 për qind të votave në Prishtinë, Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosjes duke u bazuar në rezultatet e këtyre votave duket se po shkojnë drejt raundit të dytë.

Rama po udhëheq me 34 për qind të votave, ndërsa Çeku është me një për qind më pak si i dyti.

Uran Ismaili i PDK-së është i treti me 27.35 për qind.


“S’ka bir nane që më heq prej PDK-së”, Lladrovci: Dada Razë e ka kuptu që nuk fiton në Drenas

Kandidati për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një deklaratë për RTV21 tha se askush nuk mund ta largojë nga PDK-ja.

“Unë jam PDK, s’ka bir nane që më largon prej PDK-së”, tha ai, duke shtuar se liderët e PDK-së do t’i lë të qetë.

“Liderët e PDK-së nuk janë liderë dhe ne do të kërkojmë një lider të ri. Shpresoj se do të jetë Bedri Hamza, por do të vendosë këshilli i drejtuesve – konventa e partisë”, tha ai.

“Dada Razë e ka kuptu që nuk fiton në Drenas”, shtoi ai./21Media


Shpejtim Bulliqi shpall fitoren në Podujevë

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Shpejtim Bulliqi ka shpallur fitoren e tij në zgjedhjet e sotme.

Ai ka falënderuar sonte mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje për përkrahjen gjatë fushatës zgjedhore.

Exit-pollet kanë shpallur fitues Shpejtim Bulliqin për kryetar të ri në Podujevë, duke fituar përballë Ekrem Hysenit të LDK-së.

KQZ ndërkohë po numëron rezultatet për kryetar të komunës, sipas të cilave prin Bulliqi me mbi 52.09 për qind të votave, ndërsa Ekrem Hyseni nga LDK-ja 40.26 për qind. Janë numëruar 42 vendvotime nga 113 vendvotime./kp


Tahiri fton mitrovicasit të festojnë: Fituam së bashku

Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar Mitrovicën duke shpallur fitoren.

Derisa i ka ftuar mitrovicasit që të festojnë.

“Mitrovicë, faleminderit nga zemra! 💚 Sot fituam së bashku! Së bashku edhe do të festojmë!
Ju pres sonte në orën 22:00, në Palestrën Sportive ‘Minatori’”, ka shkruar ai./21Media


Canaj: VV nuk e ka arritë atë që e ka prit

Analisti politik, Blerim Canaj në RTV21 duke komentuar situatën pas perfundimit të procesit zgjedhor tha se VV-ja në këto zgjedhje nuk e ka arritur atë që e ka prit.

Peci: Njerëzit që kanë abstenuar kanë qenë të dëshpëruar me një parti të caktuar

Drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, në RTV21 u deklarua lidhur me pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje.

“Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje do të reflektohet në rezultatet e zgjedhjeve. Mbi të gjitha, njerëzit që kanë abstenuar kanë qenë të dëshpëruar me një parti të caktuar,” tha Peci.

 


Cakolli: Abuzime me votimin me asistencë sidomos për gratë dhe të rinjtë

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim në  RTV21, ka deklaruar se pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e mbajtura katër vjet më parë. Ai e ka vlerësuar procesin si të qetë dhe pa incidente që mund të kishin cenuar integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Megjithatë, Cakolli ka theksuar se një nga parregullsitë kryesore ka qenë abuzimi me votimin me asistencë, veçanërisht në zonat rurale.

“Ka pasur shumë raste kur votuesit, sidomos gratë dhe të rinjtë, kanë kërkuar asistencë. Në një rast, një votuese që dukej në të tridhjetat, kërkonte të asistohej nga bashkëshorti i saj, kjo është shkelje,” u shpreh Cakolli.

Ai e ka cilësuar këtë proces zgjedhor si një ndër më të rëndësishmit në aspektin e konkurrencës politike:

“Këto zgjedhje kanë qenë shkundja më e madhe politike. Për herë të parë, pothuajse në çdo komunë ka pasur garë të vërtetë,” theksoi ai./21Media

 


Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Hajdari: Jemi të parët padyshim

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari pas përfundimit të procesit zgjedhor për RTV21 ka thënë se beson në fitoren e tij.

“Jemi në pritje të rezultateve, rezultati është brenda kutiave. Jemi të parët, jemi fitues padyshim”, tha Hajdari.

Tutje Hajdari ka shtuar se ”qytetarët kanë folur me votë”./21Media


Lladrovci: Fitues është qytetari kampion i Drenasit në krye me ne

Kryetari aktual i Drenasit dhe njëherësh kandidat për kryetar të kësaj komune, Ramiz Lladrovci, në një deklaratë për RTV21 falënderoi qytetarët e Drenasit të cilët kanë dalë në votim.

Ai ka thënë se kanë punuar për të pasur rezultat, derisa u shpreh se gjatë ditës ka pasur probleme.

Sa i përket rezultateve të exit-polleve, tha se nuk iu beson dhe pret rezultatet zyrtare.

“Unë e pres fitoren gjithsesi, nuk ka reagim sepse nuk ka dalë ende rezultati preliminar, besoj se jam më mirë se çdo kandidat tjetër”, tha ai.

“Fitues është qytetari kampion i Drenasit në krye me ne”, u shpreh ai./21Media


Krasniqi: Faleminderit për çdo votë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se sot kanë fituar qytetarët dhe demokracia në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i PDK-së ka falenderuar votuesit e subjektit të tij duke thënë se qytetarët u përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale,

“Sot fituan qytetarët, demokracia dhe besimi në të ardhmen.Faleminderit për çdo votë, anekënd vendit, me të cilën qytetarët u përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale – atë të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi thotë se do të vazhdojnë tutje me përkushtim për siç thotë ai rikonfirmuar fitoret në komunat ku janë në balotazh.

“Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt rikonfirmimit të fitoreve në çdo komunë ku jemi në balotazh. Kosova meriton ma mirë!”, thuhet ndër të tjerash në postimin e tij.

Sipas të dhënave të KQZ të përditësuara në ora 20:14, në nivel vendi kanë votuar gjithsej 799 mijë e 389 qytetarë nga 2 milionë e 25 mijë e 105 qytetarë me të drejtë vote duke përfaqësuar 39.47% të votuesve pjesëmarrës.


Reagon Haradinaj: Urime AAK
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj pas përfundimit të procesit zgjedhor ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Ai tutje ka uruar edhe subjektin e tij politik për këto zgjedhje.
”Dëshiroj t’ju falënderoj për këtë fitore dhe rezultat historik. Çdo garues, çdo komisioner, çdo vëzhgues, çdo njeri që ka kontribuar për këtë rezultat. Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar. Urime AAK!”, ka shkruar Haradinaj.

​Nis numërimi i votave, këtu mund të shihni kush po prin në secilën komunë

KQZ pas përfundimit të votimit ka nisur edhe procesin e numërimit të votave në komunat e Kosovës.

Në Prishtinë janë numëruar votat e para – 277 vota ose 0.12 për qind në 2 nga 268 vendvotime,

Kryetari aktual i Prishtinës Përparim Rama nga LDK-ja prin me 34.30 për qind, Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje 32.13 për qind. Uran Ismaili nga PDK-ja renditet i treti me 29.96 për qind, kandidati i pavarur Fatmir Selimi 1.81 për qind dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 1.08 për qind.

Këtu mund t’i shihni rezultatet për secilën komunë


Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës njofton se plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili
kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para,
gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së
Kosovës.

”Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar
në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të
kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi
zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”, thuhet në reagimin e Policisë.

Siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi
dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave
procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e
kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar dy (2) raste "Cenimi i fshehtësisë së votimit", njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata.

”Lidhur me rastet personat e shoqëruar në stacione policore, pas intervistimit me autorizim të
prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa sa i përket rastit të gjuajtjes me armë zjarri në Komoran, ku ishte dëmtuar një veturë dhe
ishin shoqëruar për intervistim dy persona, vlen të potencohet se ky rast nuk ndërlidhet me
procesin zgjedhor. PK-ja me autorizim të prokurorisë kompetente është duke kryer kontrolle si
dhe duke vazhduar me hetime intensive për rastin, përderisa personat e shoqëruar pas
intervistimit janë liruar. Po ashtu, janë trajtuar rreth dhjetë (10), informacione të natyrave të ndryshme që ndërlidhen me  procesin zgjedhor, për të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetent është
vlerësuar se nuk ka pasur elemente apo dëshmi që ndërlidhen me vepra penale dhe janë
evidentuar vetëm si informacion. Policia e Kosovës, vlerëson se plani policor është realizuar me sukses, falë bashkëpunimit ndërinstitucional, falë punës dhe angazhimeve të zyrtarëve policorë si dhe kulturës së lartë të
treguar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj falënderon të gjitha institucionet, qytetarët dhe mediat për bashkëpunim e treguar më PK-në”, njofton Policia.


KQZ: Dalja në zgjedhje, 39 për qind

Në konferencën e mbajtur nga KQZ-së, Kryetari Kreshnik Radoniqi tha se dalja në zgjedhjet e sotme ishte 39 për qind.

Radoniqi ka shtuar se procesi i votimit u zhvilluar qetë dhe pa pengesa, teksa ka falendeurar insitutcionet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Ai ka njoftuar se ka nisur numërimi i votave për kryetarë komunash.

 


Çitaku: PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kjo parti ka fituar më së shumti komuna pa balotazh, derisa po ashtu ka shtuar se do të shkojë edhe në më së shumti komuna në balotazh.

“Kam kënaqësinë t’iu konfirmoj se PDK është fituese e këtyre zgjedhjeve. PDK ka fituar më së shumti komuna pa balotazh e po ashtu është në më së shumti komuna në balotazh. Po ashtu PDK ka marrë më së shumti vota partiake”, tha ajo në një konferencë për media./21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button