Suedia gjen rrjedhje të re në gazsjellësin rus

Suedia gjeti një rrjedhje të re në një tubacion të madh nënujor që transporton gaz natyror rus në Bashkimin Evropian, duke e bërë atë të katërtin e zbuluar këtë javë.

Danimarka dhe Suedia raportuan rrjedhje gazi në tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 në fillim të kësaj jave.

NATO tha se incidentet ishin rezultat i “akteve të qëllimshme, të pamatur dhe të papërgjegjshme të sabotimit”.

Rusia hodhi poshtë sugjerimet se kishte sulmuar tubacionet e veta si “të parashikueshme dhe budallaqe”. Në vend të kësaj, Ministria e Jashtme ruse tha se shpërthimet kishin ndodhur në “zona të kontrolluara nga inteligjenca amerikane”.

Ambasadori gjerman në Mbretërinë e Bashkuar, Miguel Berger, i tha BBC-së se ishte e qartë se një aktor jo-shtetëror nuk mund të ishte pas incidenteve – me fjalë të tjera, një vend duhet të ketë qenë përgjegjës, përcjell rtv21.tv

Roja bregdetare suedeze tha se ata kishin gjetur rrjedhjen e katërt në Nord Stream 2, shumë afër një rrjedhjeje më të madhe të gjetur më parë në Nord Stream 1.

BE-ja ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për përdorimin e furnizimeve me gaz si një armë kundër Perëndimit, si hakmarrje për mbështetjen e saj për Ukrainën.

Është “shumë e qartë” se kush qëndron pas dëmit, tha kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, pa dhënë detaje.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ai ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për rrjedhjet, duke shtuar se mundësia e një sulmi të qëllimshëm nuk mund të përjashtohej./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button