Sugjerohet që remitancat të orientohen në projekte

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, remitancat apo dërgesat nga mërgata për muajin shkurt të këtij vitit, arritën vlerën 87.9 milionë euro, ndërkohë që në total vlera e remitancave, kap shifrën prej 174.3 milionë eurove.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, këto dërgesa duhet të orientohen në projekte që ndikojnë në zhvillim ekonomik.

“…Kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që ne ta ndihmojmë diasporën që këto remitenca të kanalizohen në projekte të cilat ndikojnë drejt për drejt në zhvillim të vendit…nëqoftëse i shohim investimet e jashtme, atu dominon deri në 60-70% dhe kemi raste ku shkojnë në patundshmëri dhe kjo dëshmon që nuk janë duke u orientu në mënyrën më të mirë të mundshme për zhvillim ekonomik për arsye se ne po i konsiderojmë si investim mirëpo shumica e atyre pronave ato nuk e kanë një proces të kthimit pra nuk janë të lëshume për thanë që janë investime…”, tha Rafuna për rtv21

Rritjen e vlerës së remitancave, ish ministri i financave Haki Shatri e konsideron si një prej lajmeve të rrallë të mira për ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, këto dërgesa nga diaspora kanë mbetur ndër ndihmesat e vetme për ekonominë e vendit.

“…është një ndihmesë sepse mungesa e zhvillimit ekonomik, punësimit produktiv, nga ngecja e prodhimtarisë në përgjithësi në Kosovë, pra këto të hyra janë një infuzion i mirë edhe për ekonominë por në veçanti për familjet të cilat i pranojnë keto të ardhuna. Normalisht këto e ndihmojnë ekonominë sepse mënjëherë hyjnë në qarkullim për mallrat e konsumit dhe qarkullojnë mrena vendit si mjete financiare të dobishme në kushtet kur ne për furnizime e për mallra i hargjojmë mbi 5 miliardë euro, që do të thotë pare të gatshme dalin jashtë vendit…”, tha Shatri.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu konsideron se Qeveria e Kosovës duhet të ketë një plan të qartë për investimin në vendin e duhur të këtyre dërgesave.

“…besoj që nuk i bëhet nder djersës së diasporës që këto mjete të jenë paraprakisht të eksportuara për import të produkteve nga jasht, në këtë drejtim duhet të hartohet një vizion i qartë që këto mjetë të jenë në funksion të duhur të Kosovës të ketë iniciiativa dhe partneritet me Qeverinë të hapen fabrika e të krijohen vende të reja të punës dhe të përmirësohet bilanci i pagesave, e të blihet teknologji moderne dhe e avancuar…, tha Gërxhaliu.

Në vitin 2023, remitancat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan 1.3 miliardë euro përkatësisht 1 miliard e 343.4 milionë euro./RTV21/21Media

Back to top button