Sulm ndaj nënës, babait, bashkëshortes e vajzës gjatë 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunë në familje.
Rasti i parë është regjistruar në Prishtinë më datë 16.11.2021 rreth orës 22:20.
Viktima ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kërcënuar dhe tentuar të sulmohet fizikisht nga bashkëshorti i saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Rasti i dytë është regjistruar në Rahovec më datë 17.11.2021 rreth orës 11:20, shkruan rtv21.tv
Ankuesja ka raportuar se bashkëshorti i saj me të cilin janë në proces gjyqësor, përmes telefonit e ka kanosur vajzën e tyre, me pretekst pse ka shkuar te nëna e saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti është duke u hetuar në procedurë të rregullt.
Më pas në orën 15:30, në Prishtinë një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje verbale është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar.
Rasti i katërt i dhunës në familje është regjistruar në Prizren rreth orës 17:10. Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Gjatë arrestimit, i dyshuari kishte penguar zyrtarët policor dhe thënë se do ta lëndojë veten. Nga i dyshuari është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë, rreth orës 18:00 është arrestuar i dyshuari që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Rasti i gjashtë është regjistruar po ashtu në Prishtinë. Rreth orës 19:30, një person ka informuar se është sulmuar fizikisht nga i biri i tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt./21Media

Back to top button