Sulm në një spital ushtarak, 20 të vrarë

Më shumë se 20 persona janë vrarë dhe të paktën 16 janë plagosur në një sulm në spital ushtarak në kryeqytetin afgan Kabul, tha një zyrtar në Ministrinë e Shëndetit Publik për BBC-në.
Një zëdhënës i talebanëve konfirmoi se kishte pasur dy shpërthime.
Sipas dëshmitarëve, persona të armatosur më pas hynë në ambientet e spitalit.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, transmeton rtv21.tv.
Zëdhënësi i talebanëve, Bilal Karimi, i tha BBC-së se luftëtarët nga dega e Shtetit Islamik IS-K kishin hyrë në kompleks pasi shpërthimit të parë.
Karimi tha se luftëtarët talebanë qëlluan dhe vranë katër sulmues të IS-K dhe njërin e kapën të gjallë.
Sulmi është i fundit që goditi Afganistanin që kur talebanët morën kontrollin në gusht, pasi SHBA-ja tërhoqi trupat e saj të fundit nga vendi.
IS-K, i cili përfaqëson Shtetin Islamik Khorasan, ka marrë përgjegjësinë për një numër sulmesh që synojnë civilët dhe luftëtarët talebanë.
Një bombardim në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit në gusht vrau më shumë se 150 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë.
Spitali Sardar Daud Khan ka qenë në shënjestër edhe më parë. Më shumë se 30 njerëz u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në vitin 2017 kur persona të armatosur të veshur si mjekë hynë në ndërtesë. Ky sulm u mor përsipër nga grupi i Shtetit Islamik./21Media

Back to top button