Sulmi në Serbi, reagon MPJ: Vuçiq predikon agresion ndaj shqiptarëve, jemi të shqetësuar

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Liza Gashi, ka reaguar pasi një autobus me mërgimtarë u sulmua në Serbi, ndërsa ai po shkonte për në Dortmund të Gjermanisë.
Gashi ka thënë se janë të shqetësuar shumë nga ky sulm dhe e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për “agresion ndaj shqiptarëve”.
“Dje, një autobus i mbushur me pjesëtarë të diasporës që udhëtonte nga Kosova në Gjermani u sulmua me gurë teksa kalonte nëpër Serbi. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua. Megjithatë, ne jemi shumë të shqetësuar nga sulmi dhe dënojmë motivet pas agresionit”, ka shkruar Gashi në Twitter.
Ajo ka thënë se Kosova është kundër çdo kërcënimi më bazë etnike.
“Republika e Kosovës kundërshton çdo kërcënim me bazë etnike ndaj qytetarëve dhe diasporës së saj. Është e qartë se regjimi i Vuçiqit dhe predikimi i tij për agresion ndaj shqiptarëve të Kosovës ende vazhdon me pasoja potencialisht të rënda”, ka shkruar zëvendësministrja.
Ky sulm ka ndodhur të shtunën mbrëma, derisa mërgimtarët nga Kosova po kalonin nëpër Serbi për të shkuar në Gjermani./21Media

Back to top button