Sulmi terrorist në Banjskë, deputetja shqiptare kërkon t’i vendosen sanksione Serbisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjska të Zveçanit.

Ajo thotë se ky akt terrorist i kryer nga serbët duhet të përdoret nga pala kosovare në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.

Tabaku thotë se tash duhet shfrytëzuar momentumin për të bindur ndërkombëtaret për atë që ka ndodhur dhe se pas gjithë kësaj qëndron Serbia.

“Për të gjithë Shqipërinë nuk flas dot, por qëndrimin e opozitës dhe atë qëndrim që unë kam mbajtur këtu, njëkohësisht edhe në Strasburg, sigurisht që mund ta them. Nuk ka më sot besoj ndërkombëtar, por edhe shqiptar që nuk e ka kuptuar që përgjegjësit kanë qenë shumë të qartë. Përgjegjësit e kanë pranuar që janë përfaqësues të Serbisë, është vërtetuar tashmë, që armët kanë ardhur nga Serbia. Pra, ka pasur prova, ka pasur fakte, ka pasur argumente, të cilët janë paraqitur. Sigurisht se Shqipëria është në krah të Kosovës në këtë rast. Por, unë besoj që ne duhet të kalojmë përtej kësaj, ne duhet që në këtë moment të përpiqemi që të bindim të gjithë ndërkombëtaret për atë që ka ndodhur. Unë e di që ky është një akt dhe për shumë akte të tilla kanë ndodhur në Kosovë. Por, ne duhet patjetër që çdo akt të tillë terrorist, ta përdorim në të mirë të dialogut. Ta përdorim në të mirë të procesit të Kosovës, ta përdorim në të mirë të njohjes sepse ky është qëllimi fundor dhe nuk ka absolutisht asnjë objektiv tjetër që duhet të ketë Parlamenti i Shqipërisë, në mbështetje të Kosovës, Qeverisë, Parlamentit dhe politikës së Kosovës më të madhe sesa kjo”, thotë Tabaku.

Parlamenti Evropian miratoi së fundi një rezolutë ku dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, dhe kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Por, kjo sipas deputetes Tabaku nuk mjafton, pasi që ndaj Serbisë duhet vendosur edhe sanksionet për cenim të territorit të Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

“Për mua po, unë e kam prezantuar dhe rezolutën që prezantuam në Strasburg, që së pari qeveria shqiptare duhet të kërkonte me zë të lartë heqjen e të gjitha masave të padrejta për Kosovën, jo proporcionale për Kosovën. Dhe duhet patjetër që një akt të tillë terrorist për vrasjen e një polici dhe dy të tjerë të plagosur, me cenimin e territorit dhe me çdo gjë që ka ndodhur nga 24 shtatori e këtej, rritjen e retorikës, gjuhës kundër, duhet patjetër që të kishte edhe një paketë masash edhe ndaj Serbisë. Përndryshe, ne do të vazhdojmë të përsërisim gabimet e të shkuarës, do të vazhdojmë të sillemi po njësoj, dhe do të vazhdojmë të mos mësojmë nga çdo gjë që ndodhë. Sepse 24 shtatori e vërtetë që ishte tragjik, sepse përfundoi edhe me një jetë të humbur. Por, ju që jetoni atje përditë e dini edhe vështirësinë e një bashkëjetese që nuk ka qenë e thjeshtë”, thotë Tabaku.

Tabaku ka folur edhe për grumbullimin e trupave serbe ushtarake në kufi me Kosovën, gjë që u dënua nga BE e SHBA, të cilat e cilësuan si veprim shumë destabilizues.

“Pamjet e kamionëve të ushtrisë, e mjeteve ushtarake që shkonin drejt kufirit të Kosovës ishin të trishta për ne si shqiptarë. Dhe kur them ne nuk ka asnjë dallim ndërmjet nesh dhe jush. I evokonin luftën që aq shumë kanë vuajtur shqiptarët, evokonin një periudhë për Kosovën shumë të vështirë, evokonin njëkohësisht pamje që nuk i takojnë as dy vendeve të cilat duan procesin e integrimit, dhe as Serbisë që ndodhet hapa përpara në këtë proces, ndodhet edhe në hapa më përpara se Shqipëria. Fatmirësisht pati një thirrje unanime për tërheqjen dhe një apel ndërkombëtar për tërheqje”, thotë Tabaku.

Ndërkohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë, edhe deputetja e PD-së thotë se procesi nuk mund të vazhdojë nën këto kushte, pasi është provuar se Serbia është palë agresori në Banjska.

“Normalisht, jo. Sigurisht që jo më të njëjtat kushte, sigurisht që jo me të njëjtën dinamikë. Sepse ne kuptojmë që ka një palë që përpiqet që t’i ikë dialogut. Ka një palë që do t’i shpëtojë dialogut, dhe kjo nuk është Kosova, është Serbia. Çdo gjë që ndodh, dhe besoj fort se ka lidhje me paaftësinë e Serbisë për të gjetur justifikime tjera dhe përdor këto për t’i ikur dialogut. Nuk ka zgjidhje tjetër për njohjen e ndërsjellët. Nuk ka zgjidhje tjetër për rajonin përveç dialogut, po sigurisht që jo me këto kushte, të cilat tashmë sot e kanë provuar të gjithë edhe një herë, megjithëse nuk kishte nevoja të provohej që përsëri agresori vazhdon të mbetet agresor dhe s’ka për t’u bërë kurrë viktimë”, thotë Tabaku.

Ndryshe, krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian më 27 tetor e kanë dënuar ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht, dhe t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, thuhet në konkluzionet e miratuara në fund të samitit.

Në fund të takimit dyditor, të mbajtur në Bruksel, liderët e BE-së kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Kosovës dhe Serbisë u është kërkuar që t’i vazhdojnë përpjekjet për ulje të tensioneve, dhe të sigurojnë mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës.

“Dështimi për t’i ulur tensionet do të ketë pasoja”, është thënë mes tjerash në konkluzione.

Presidentët dhe kryeministrat evropianë kanë shprehur keqardhje për mungesën e zbatimit të marrëveshjes së arritur në shkurt mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve.

BE-ja ka bërë thirrje që dy vendet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet paraprake, pa vonesa dhe pa parakushte, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, thuhet në dokumente./kp

Back to top button