Sulmohet sërish policia në Zubin Potok
Policia e Kosovës është sulmuar sërish sot në Zubin Potok. Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ai ka thënë se rasti ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit konkretisht në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.”. ka thënë Kelani.
Ai tutje ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve
Ky nuk është sulmi i parë ndaj policisë në Veri, që nga 13 prilli tash e disa herë policët janë sulmuar në zonën ndërmjet Zubin Potokut dhe pikës kufitare me Serbinë, në Bërnjak./21Media