Suspendohet gjyqtarja që dënoi me 8 muaj burgim dhunuesin e një të miture

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka suspenduar gjyqtaren e Gjykatës në Pejë, Florije Zatriqi, deri në një vendim tjetër të këtij institucioni.
Në njoftimin e KGjK-së bëhet e ditur se ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme.

“Është themeluar paneli hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/15/21 dhe është vendosur për suspendimin e gjyqtares F.Z deri në një vendim tjetër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.

Gjyqtarja Florije Zatriqi dënoi me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim një person të akuzuar për dhunim të një 15-vjeçareje.

Ky rast nxiti reagime të mëdha në vend, pasi dënimi është vlerësuar si tepër i butë dhe nxitës për raste të tjera dhunimi. Kishte reaguar edhe prokurori i Shtetit dhe Gjykata Supreme, që kërkuan masa disiplinore ndaj gjyqtares.
Zatriqi në vendimin e marrë tre muaj më parë e kishte arsyetuar dënimin e ulët duke u bazuar në keqardhjen dhe pranimin e fajësisë, si dhe në faktin se në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar, derisa tani kanë kaluar 10 vjet dhe se ai ka edhe fëmijë./21Media
Back to top button