Sveçla dhe ambasadori Hovenier biseduan për reforma në Polici dhe administratë publike
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot priti në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të cilin e uroi për emërimin si ambasador i SHBA-ve në Kosovë dhe shprehu përkushtimin e tij për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit në mes MPB-së dhe shtetit amerikan.
Sveçla, siç informoi ministria, e falënderoi ambasadorin Hovenier për mbështetjen e vazhdueshme dhe vuri në dukje se SHBA-të janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës. Sipas MPB-së, ai theksoi se është i përkushtuar që të punojë ngushtë me qëllim të forcimit të kapaciteteve të sundimit të ligjit në Kosovë, sidomos të agjencive të MPB-së, për ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Në këtë takim është biseduar edhe për prioritetet e Qeverisë dhe MPB-së, për rëndësinë e sundimit të ligjit, si dhe nevojën për reforma në Policinë e Kosovës dhe administratën publike, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e vendit.”, u bë e ditur në komunikatë./21Media