Sveçla: Ditëve në vijim del raporti për sulmin në Banjskë dhe policët e kidnapuar nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se pret që ditëve në vijim Policia dhe Prokuroria të dalin me raport mbi të gjeturat për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe kidnapimit të tre policëve.
“Për çështjen e sulmit terrorist në Bansjkë më 24 shtator, tashmë jeni njoftuar që Policia e Kosovës me Prokurorinë janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës. Patjetër unë shpresoj që shumë shpejtë do ta dalin me rezultatet preliminare, kjo është edhe një ndër kërkesat që i kam adresuar edhe Policisë dhe Prokurorisë përmes Policisë, që sa më shpejtë të kemi një raport preliminar mbi të gjeturat nga ky rast, por edhe nga rasti i kidnapimit të policëve. Do të thotë përgjegjësit kryesorë për hetim dhe për të ndërmarrë hapat e duhur se a do të dalin me raport për hetimet e tyre unë besoj që duhet t’i pyesni ata. Unë pres që ditëve në vijim që Prokuroria dhe Policia të dalin me raport mbi të gjeturat për këto dy raste jashtëzakonisht të rënda për Kosovën”, tha ai.
Sveçla në këtë konferencë po ka thënë se Agjencia Kosovare e Privatizimit është pronare e kompleksit Rajska Banja në Banjskë të Zveçanit dhe se në këtë kompleks është investuar jashtëligjshëm.
“Pse dikush ka investuar jashtëligjshëm, mendoj qe është mësim për të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të investojnë jashtëligjshëm, se nuk mund ta bëjnë. Sa i përket menaxhimit të atij kompleksi, Ministria e Punëve të Brendshme është rezultat i bashkimit të dy ministrive, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administratës Publike, e ish-Ministria e Administratës Publike e ka departamentin e menaxhimit të objekteve të këtilla, në pronësi të shtetit. Kjo është arsyeja pse e kemi marrë në menaxhim dhe destinacionin final të këtij objekti do t’ia paracaktojmë ndërkohë”, është shprehur Sveçla.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?