Sveçla: Është koha e fundit që Prokuroria të ngritë aktakuza për sulmin në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se është koha e fundit që Prokuroria e Kosovës të fillojë me ngritjen e aktakuzave sa i përket personave që kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës në 24 shtator të vitit të kaluar. Ai tha se ka prova e incizime të mjaftueshme për të ngritur aktakuza.
Ministri Sveçla, derisa ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për raportin vjetor të punës 2023, tha se ky institucion qëndron mirë, derisa shtoi se në Policinë e Kosovës, investimet kapitale janë rritur, porse sipas tij, edhe procedurat janë përshpejtuar.
Pas prezantimit të raportit nga ana e ministrit, deputeti nga Vetëvendosje, Enver Dugolli ka kërkuar sqarim nga ministri Sveçla, përse nuk është ngritur ende asnjë aktakuzë për rastin e Banjskës. Po ashtu ai ngriti edhe çështjen sa i përket furnizimit të njësive patrolluese me armë të gjata.
Sa i përket sulmit në Banjskë, Sveçla tha se është koha e fundit që Prokuroria të fillojë me ngritjen e aktakuzave apo të paktën e një raporti përfundimtar.
Sipas tij, parandalimi më i mirë që mos të ndodhin këso lloj sulmesh, është përndjekja e pjesëmarrësve në këtë sulm.
Ndërkaq, sa i përket armëve të gjata, ai tha se janë në proces, dhe se të gjitha patrullat do të pajisjen me to.
Ndërsa, deputeti nga PDK, Rashit Qalaj, është shprehur i shqetësuar lidhur me situatën në trafik. Ai ka akuzuar Ministrinë e Infrastrukturës për objektivat e parapara që nuk ka arritur t’i realizojë. Po ashtu edhe autoshkollat, që sipas tij, duhet të kenë një qasje më strikte.
Ndërsa, ka thënë se koeficienti pagës për zjarrfikësit ende nuk është rregulluar.
Për këtë, ministri Sfeçla tha se janë duke diskutuar me sindikatën e PK-së për një serë hapash në aspektin e privilegjeve sa i përket këtij institucioni.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?