Sveçla falënderon SHBA-në për donacionin prej 250 kamerave trupore për Policinë e Kosovës

Policia e Kosovës ka pranuar 250 kamera të trupit dhe 113 sisteme kamerash të instaluara në automjete të policisë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e Republikës së Kosovës.

Sveçla ka thënë se gjatë takimit është biseduar edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë, për projektet e përbashkëta.

“Kisha kënaqësinë të pres sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier. Biseduam për situatën e përgjithshme të sigurisë, për projektet e përbashkëta që kemi në proces me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për angazhimet e mëtutjeshme në fushat që janë në interes të të dyja palëve. Pas nënshkrimit dhe pranimit zyrtarisht donacionit prej 250 kamerave trupore nga Ambasada Amerikane për
Policinë e Kosovës, pata rastin të falënderoj përzemërsisht Ambasadorin Hovenier për mbështetjen e vazhdueshme për institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media

Back to top button