Policët me kamera të trupit, pritet rritja e transparencës dhe llogaridhënies

Policia e Kosovës ka pranuar 250 kamera të trupit dhe 113 sisteme kamerash të instaluara në automjete të policisë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky donacion në vlerë rreth 1.8 milion dollarë, u tha se do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e policëve.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se kamerat do të përdorën nga njësitet e trafikut dhe policisë kufitare, ndërsa një pjesë do të shpërndahen edhe në veri.

“Këto kamera mendojmë se do të jenë shumë të dobishme për punën e Policisë së Kosovës, me qëllim të rritjes së llogaridhënies dhe transparencës së punës së policisë. Sigurisht ne do t’i mbajmë përgjegjës policët tanë për punën që e bëjnë, po ashtu do të ketë ndikim në rritjen e besimit të qytetarëve tanë në punën e policisë. Po ashtu edhe nëse ka tejkalim të kompetencave do të mbahen përgjegjës të gjitha ata që i shkelin këto parime. Njëkohësisht këto do të përdoren si evidencë dhe dëshmi pranë gjykatave për çfarëdo shkelje apo dëshmi. Këto kamera do të përdoren nga njësitë tona të trafikut dhe njësitë e policisë kufitare. Një pjesë e tyre do të shpërndahen edhe në veri, në njësitë tona që janë në atë pjesë”, tha ai.

Në anën tjetër, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se ky projekt ka rëndësi jetike për rritjen e besimit të qytetarëve në Policinë e Kosovës dhe sundimin e ligjit.

“Këto kamera të trupit janë një resurs i ri që ka rëndësi jetike për zbatim të ligjit në Kosovë. Ato do të rrisin besimin e publikut në polici, do të ofronin dëshmi të paanshme të veprimeve të policisë dhe komuniteteve, si dhe do të përmirësojnë ndjeshëm llogaridhënien. Ajo që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të shohin është që Kosova të zë vendin të cilin i takon në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, si një demokraci gjithëpërfshirëse dhe shumë etnike. Por kjo nuk do të jetë e mundur pa institucione transparente, të drejta të sundimit të ligjit, duke përfshi edhe policinë….Ky donacion është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët që kemi me Policinë e Kosovës ndaj mbështetjes së ofrimit të shërbimeve ligj zbatuese, transparente dhe llogaridhënëse për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.

Donacioni është mundësuar falë projekti të përbashkët ndërmjet INL-DOS dhe ICITAP-DOJ, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

Back to top button